DEPARTAMENTI I GJUHËS GREKE

Historiku – Departamenti i Gjuhës Greke

Dega e Gjuhës Greke, që prej vitit 1998 ka sektorin e vet pranë Departamentit të “Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të UT. Sot, në vitin e 20-të të jetës së vet kjo degë numëron rreth 200 studentë në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve.

Studentët tanë janë të një niveli të lartë në sajë dhe të punës së kualifikuar të stafit akademik të degës. Si pjesë të stafit profesional janë 2 pedagogë me titullin shkencor “Profesor i asocuar”, tre pedagogë janë me gradën shkencore “Doktor”. Dega e Gjuhës Greke përveç Bachelorit, në ciklin 2 vjeçar të studimit (Master) ofron dy drejtime: Master shkencor në “Përkthim dhe Interpretim”, Master shkencor në “Komunikim Ndërkulturor Turistik”. Ndërkohë këtë vit është hapur për herë të parë edhe një tjetër drejtim shumë i rëndësishëm  “Master i shkencave në Mësuesi për arsimin e mesëm e të lartë”, i cili duke vlerësuar interesimin dhe kërkesat e studentëve të këtij fakulteti, ka marrë menjëherë rëndësinë që i takon duke siguruar shpejt një brez të ri mësuesish të gjuhës greke si gjuhë e huaj.

Dega e Gjuhës Greke punon për realizimin e objektivave dhe synimeve si në planin e karrierës akademike, ashtu edhe në planin e mësimdhënies cilësore sipas standarteve të reja evropiane. Arritjet e këtyre synimeve e objektivave i mbështet fort në bashkëpunimin e shumëfishtë me disa Universitete të Greqisë si: Universiteti i Janinës, Universiteti Aristoteleio të Selanikut me projekte të ndryshme shkencore, me shoqata dhe fondacione të ndryshme Greke siç është rasti i Fondacionit Aleksandros Onassis me qendër në Athinë, me Ambasadën Greke në Tiranë, gjithashtu edhe me shkollën “Arsakeio”, për praktikat e studentëve të ciklit të dytë. Në sajë të këtyre bashkëpunimeve janë zhvilluar disa konferenca ndërkombëtare me tematikë letrare, gjuhësore, kulturore dhe përkthimore si dhe aktivitete kulturore me studentë. Kjo punë është zhvilluar paralelisht dhe me shkëmbime të stafit akademik nga të dyja palët në fushën e mësimdhënies, si dhe në trajnime të pedagogëve. Gjithashtu janë zhvilluar kurse verore për studentët e Degës së Gjuhës Greke në Universitetin e Janinës dhe Aristoteleio të Selanikut, si dhe shkëmbime të studentëve në kuadrin e programit Erasmus+.

Pedagogët e  brendshëm të Gjuhës Greke:

Prof. As. Dr. Sofia Delijorgji

Prof. As. Dr. Maklena Nika

Dr. Isida Metaj (Foçi)

Dr. Eneida Mataj

Dr. Elvis Bramo

Ma. Edlira Jorgaqi