Departamenti i Gjuhës Angleze

HISTORIKU

Departamenti i Gjuhës Angleze (ish-katedra e Gjuhës Angleze) është themeluar në shator të vitit 1960 me nismën e Profesor Skender Luarasi, pergjegjësi i saj i parë deri në vitin 1965. Fillimisht programi mësimor synonte kryesisht përgatitjen e mesuesve të ardhshëm të gjuhës angleze dhe gjuhës e letërsisë shqipe për shkollat e mesme dhe tetëvjeçare.

Në vitin 1972, filloi puna për hartimin e programet e rinj mësimorë, si dhe teksteve bazë të shumë lëndëve të reja mesimore, duke mundësuar formësimin jo vetëm si njësi e konsoliduar administrative, por edhe mësimore e shkencore e pavarur. Pedagoget u përqëndruan jo vetëm në fushën e mesimdhënies dhe kualifikimit të mësuesve të anglishtes, por edhe në atë të kualifikimit të tyre të mëtejshëm, sidomos në fushën e mbrojtjes së disertacioneve, përpilimit të fjalorëve të ndryshëm, përkthimeve, etj.

Në mënyrë që të plotesoheshin më mirë kerkesat e kohës, si dhe ato te tregut të punës për specialistë të profilizuar, gjatë periudhës 1997-1998, në vazhdim të përpjekjeve të meparshme, në Departamentin e Gjuhës Angleze u realizua për herë të parë zhvillimi i planeve dhe programeve të rinj mësimorë, të cilët parashikonin, krahas përgatitjes së mësueve të gjuhë angleze, edhe futjen e dy profileve te reja, përkatesisht Përkthim e Interpretim dhe Studime Britanike e Amerikane. Si rezultat, prej vitit 1998, Departamenti i Gjuhës Angleze ofron tre profile të ndryshme: profilin e mësuesisë, përkthimit dhe interpretimit, si dhe atë të studimeve britanike e amerikane.

Aktualisht, Departamenti ka 6 Profesorë, 3 Profesorë të Asociuar, 33 Doktorë të Shkencave, 2 Doktorantë, 2 Master i Shkencave (Studime Postmaster) të cilët, në sajë të formimit dhe kualifikimit të nivelit më të të lartë, krahas mësimdhënies në Departament, janë të përfshirë në veprimtari të ndryshme me natyrë zbatuese në fusha të tilla si përkthimi dhe interpretimi, botime, përgatitja e monografive dhe teksteve mësimore, fjalorëve, konsulencë e natyrave të ndryshme gjuhësore, didaktike e pedagogjike, menaxhimi i projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare, etj.

Nga Departamenti i Gjuhës Angleze janë diplomuar studentë, të cilët janë shquar me kontributin e tyre në fusha të ndryshme dhe të shumëllojshme të veprimtarisë profesionale dhe shoqërore, si në sektorin publik, kryesisht në politikëbërje, përkthim dhe interpretim, gazetari, diplomaci, mësimdhënie në nivele të ndryshme, etj., si dhe atë jopublik, nëpërmjet bizneseve të tyre të suksesshme.

Prej vitit 2005, programet e studimit të ciklit të parë, Bachelor, gjatë dy viteve të para të studimit, janë të organizuara si programe me bërthamë të përbashkët, ndërsa në vitin e tretë studentëve ju krijohet mundësia të përzgjedhin ndërmjet tri drejtimeve, përkatësisht:

  1. Bachelor në Gjuhë Angleze, në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module hyrëse në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze;
  2. Bachelor në Përkthim dhe Interpretim, në të cilin në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module formuese në fushën e përkthimit dhe interpretimit;
  3. Bachelor në Studime Britanike dhe Amerikane, në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module hyrëse në fushën e studimeve kulturore dhe institucionet britanike e amerikane;

Në vitin 2008, në përputhje me ndryshimet e parashikuara në Ligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me departamentet e tjerë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe departamentet e tjerë të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gjuhës Angleze ofron Programet Master i Shkencave, të cilët mirëpresin jo vetëm studentë të FGJH, por edhe të fakulteteve të tjerë brenda dhe jashtë vendit, përkatësisht:

  1. Mësues i Gjuhës Angleze, në të cilin përgatiten mësues të gjuhës angleze për shkollën e mesme;
  2. Përkthim teknik-letrar dhe interpretim, në të cilin përgatiten përkthyes dhe/ose interpret për institucione publike dhe private, ndërmjetësues shumëgjuhësor dhe shumëkulturor në organizma dhe organizata ndërkombëtare, shoqata të huaja dhe vendase,  nëpunës i administratës publike, punonjës në OJF të ndryshme, në strukturat e pushtetit lokal, ndërmjetësues në marrëdhëniet me publikun, shoqërues për grupe turistike brenda dhe jashtë vendit, perkthyes dhe/ose gazetarë për mediat e shkruara dhe elektronik, ndërmjetësues shumëgjuhësorë dhe shumëkulturorë në fyshën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë;
  3. Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor e turistik, në të cilin përgatiten ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e marrëdhënieve kulturore, në organizata ndërkombëtare, shoqata të huaja dhe vendase, punonjës të administratës publike, në struktura të pushtetit lokal, përkthyes të fushës kulturore, shoqërues për grupe turistike brenda dhe jashtë vendit, menaxherë të agjencive turistike, punonjës në mediat e shkruara dhe elektronike sidomos në fushat kulturore, historike, ndërgjuhësore, etj.

 

Duke parë interesimin e studentëve dhe kërkesat e tregut të punës, gjatë Vitit Akademik 2017-2018, në Departamentin e Gjuhës Angleze filloi për herë të parë Programi i Masterit Profesional me 60 kredite (kohëzgjatje 1-vjeçare).

Diplomat e marra nga studentët e anglishtes të diplomuar në të tërë ciklet e studimeve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja njihen ne SHBA, Kanada dhe Evropë duke ju krijuar mundësi për studime të mëtejshme dhe/apo punësim, jo vetëm në drejtimet dhe programet e studmit në FGJH, por në një shumëllojshmëri programesh të tjera studimi.

Gjatë viteve Departamenti i Gjuhës Angleze ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi me Këshillin Britanik, Ambasadën Amerikane, Korpusin e Paqes, universitete të ndryshme në Evropë dhe më tej, duke u përfshirë në projekte të përbashkëta kualifikuese dhe kërkimore-shkencore.

Programet e studimit të ciklit të parë, Bachelor

Bachelor në Gjuhë Angleze

Bachelor në Gjuhë Angleze me profil “Përkthim dhe Interpretim”

Bachelor në Gjuhë Angleze me profil “Studime Britanike dhe Amerikane”

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave

Master i shkencave në "Mësuesi e Gjuhës Angleze për arsimin e mesëm të lartë"

Master i shkencave në "Përkthim teknik - letrar dhe interpretim"

Master i shkencave në "Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor dhe turistik"

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master Profesional

Master Profesional në "Përkthim" me profil "Perkthyes"