RRETH NESH

Universiteti ynë është një institucion me traditë. Themelimi i tij daton më 1957 por është për tu përmendur fakti se gurët e parë në themelimin e Universitetit të Tiranës janë vendosur  që me  krijimin e institucioneve të para arsimore që prej vitit 1946. Qysh atëherë kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë dhe bashkë me ta breza të tërë pedagogësh, shkencëtarësh, punonjësish dhe studentësh. Dhe suksesi i Universitetit të Tiranës u kushtohet pikërisht atyre. Prandaj, mijëra studentë të rinj që e njohin këtë traditë dhe profesorët që punojnë me ta, ecin në gjurmët e tyre, duke u përpjekur vazhdimisht për të qenë kudo dhe në çdo kohë më të mirët.

Universiteti ynë, si çdo institucion tjetër arsimor, i ofron komunitetit një shërbim të vyer. Rritja e cilësisë së shërbimit dhe, në veçanti, përsosja e nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, arrihen nëpërmjet komunikimeve të vazhdueshme dhe të frytshme me studentët. Prandaj ai është promotor i elitës studentore, të cilën e ndihmon me forma nga më të ndryshmet, duke nxitur edhe funksionimin e mirë të përfaqësive studentore, që studentët, si një nga grupet kryesore të interesit në arsimin e lartë, të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.

Stafi akademik i kualifikuar dhe me përvojë, që ka merita për arritjet e shkëlqyera në fusha thelbësore të jetës shoqërore, si mjekësia, ekonomia, drejtësia, filologjia, sociologjia, shkencat natyrore etj. pasurohet herë pas here me elementë të rinj, të cilët i japin frymëmarrje Universitetit të Tiranës.

Por ky staf, në misionin e tij të rëndësishëm, ka pasur dhe ka gjithmonë në krah stafin mbështetës, të cilit universiteti ynë i ofron programe trajnimi të vlefshme, për të plotësuar dhe krijuar një mjedis sa më cilësor në Universitetin e Tiranës.

Megjithëkëtë, një universitet është vërtet bashkëkohor kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi të zgjerojmë dhe modernizojmë mjediset, duke nisur që nga laboratorët, bibliotekat, informatizimi, e duke mbërritur deri te ndërtimi i një kampusi universitar, i cili është ndër prioritetet e para të punës sonë. Universiteti i Tiranës është i përgatitur dhe i motivuar për të përballuar sfidat e ndryshme të shekullit të ri. Sfidat kryesore janë ato të integrimit dhe globalizimit të Arsimit të Lartë duke marë parasysh edhe stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe shtetit shqiptar me hapat e sigurt që janë ndërmarrë për tu integruar në familjen e madhe europiane që ne i përkasim. Prandaj dhe ne jemi të përqendruar për ta kthyer Universitetin e Tiranës në një aktor rajonal pse jo dhe më gjërë ,pasi pozicioni i tij si lider i Universiteteve Shqipfolëse është tashmë një reailtet i pranuar nga shoqëria dhe institucionet arsimore. Që Universiteti i Tiranës të mbetet më i miri, ne do të vazhdojmë të punojmë me dedikimin qe na karakterizon bashkë me mijëra njerëz që janë pjesë e traditës së tij dhe t’u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë rreth saj.