Departamenti i Gjuhës Frënge

Historik i shkurtër

I krijuar në vitin 1965 Departamenti i Gjuhës Frënge ka një përvojë tepër të pasur në mësimdhënie dhe në kërkime shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ndër vite, ky departament ka pasur në gjirin e tij profesorë të shquar të gjuhës frënge si Nonda Bulka, Vedat Kokona, Petrit Sinani, Medi Agalliu etj. Për vite me radhë pranë departamentit janë angazhuar edhe lektorë francezë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në brumosjen e studentëve të gjuhës frënge. Departamenti i Gjuhës Frënge ka nxjerrë mësues të talentuar të gjuhës frënge, përkthyes/interpretë, gazetarë, gjuhëtarë si edhe kuadro të shquar në jetën shoqërore e politike të shoqërisë shqiptare. Pedagogët e departamentit janë formuar dhe kualifikuar ndër vite në universitetet më të mira të Francës duke përcjellë tek studentët fjalën e fundit të shkencës. Ata janë të angazhuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin dhe rritjen e cilësisë së departamentit. Aktualisht, departamenti ka 6 Profesorë, 6 Profesorë të Asociuar, 6 Doktorë dhe 2 Doktorantë, të cilët kanë një përvojë të konsiderueshme jo vetëm në fushën e mësimdhënies, por dhe në hartimin e teksteve universitare, fjalorëve të ndryshëm, përkthimin e teksteve letrare e teknike, studimeve gjuhësore, trajnimeve etj.

Programet e Departamentit të Gjuhës Frënge i përgjigjen më së miri kërkesave të tregut shqiptar, por jo vetëm, si në nivelin Bachelor, ashtu dhe në Master. Ato sigurojnë jo vetëm përvetësimin e elementeve gjuhësore dhe kulturore të gjuhës frënge, por dhe një specializim në fushat : Gjuhë dhe komunikim, Përkthim dhe Interpretim, Gjuhë, Letërsi dhe Qytetërim Frëng” për ciklin e parë të studimeve.

Ndërsa programet e ciklit të dytë i dedikohen profileve të mësuesisë, përkthimit teknik-letrar dhe interpretimit, si dhe komunikimit ndërkulturor dhe turistik duke përmbyllur një cikël të plotë studimi.

Programet e studimit të ciklit të parë, Bachelor

Bachelor në Gjuhë Frënge

Bachelor në Gjuhë Frënge me profil “Gjuhë dhe Komunikim”

Bachelor në Gjuhë Frënge me profil “Gjuhë, Letërsi dhe Qytetërim Francez”

Bachelor në Gjuhë Frënge me profil “Përkthim dhe Interpretim”

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave

Master i shkencava "Mësuesi e Gjuhës Frënge për arsimin e mesëm të lartë"

Master i shkencave në "Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor dhe turistik"

Master i shkencave në "Përkthim teknik - letrar dhe interpretim"