Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka kënaqësinë të njoftojë publikimin e dy veprave të reja akademike, që përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në studimet gjuhësore dhe leksikografike:
🔹 Prof. Asoc. Dr. Eda Shehu – Monografi mbi mospërputhjet leksiko-semantike ndërgjuhësore
Kjo monografi trajton në mënyrë të thelluar mospërputhjet e kuptimeve leksikore midis gjuhës ruse dhe shqipes, duke analizuar rastet kur një njësi njëfjalëshe në njërën gjuhë i përgjigjet dy njësive leksikore ose një togfjalëshi në gjuhën tjetër, si dhe anasjelltas. Studimi fokusohet në vështirësitë që këto dukuri shkaktojnë në procesin e përvetësimit të gjuhës së huaj dhe në ndërhyrjet interferenciale që shfaqen gjatë formimit të fjalive.
Mbështetur në literaturë teorike dhe në fjalorë dygjuhësh rusisht–shqip dhe shqip–rusisht, autorja paraqet një analizë sistematike të marrëdhënieve ndërmjet njësive njëfjalëshe dhe togfjalëshare, të shoqëruar me fjalorë togfjalëshash të renditur alfabetikisht në të dyja gjuhët. Monografia përbën një kontribut të vlefshëm shkencor dhe didaktik për studentët e rusishtes si gjuhë e huaj, përkthyesit dhe studiuesit e gjuhësisë kontrastive. dhe studiuesit e gjuhësisë krahasuese.
🔹 Prof. Asoc. Dr. Irena Kapo Pata bashkautore me Akademiken Kristina Jorgaqi – Fjalori i anglicizmave në shqip
Ndikimi i anglishtes në shqipe, sidomos pas rënies së komunizmit dhe hapjes së vendit, është rritur ndjeshëm, duke sjellë vërshimin e huazimeve të shumta leksikore. Fjalori i anglicizmave në shqip është i pari i këtij lloji, duke dokumentuar huazimet e drejtpërdrejta dhe të përshtatura nga anglishtja, me kritere të qarta përfshirjeje. Ai shërben si burim për studiues, leksikografë dhe përdorues të gjuhës, duke pasqyruar ndikimin e anglishtes në leksikun shqiptar dhe duke ofruar shembuj të ndryshëm të huazimeve, të përshtatura ose jo në shqipe, si dhe të pseudoanglicizmave. Ky fjalor është i rëndësishëm për dokumentimin e zhvillimit gjuhësor të shqipes dhe të ndikimit të gjuhës angleze në të, ashtu dhe si në shumë gjuhë të tjera europiane, duke reflektuar gjithashtu dhe mënyrat e ndryshme të përdorimit dhe shkrimit të huazimeve angleze në shqip.
👏 Urime autoreve për këtë arritje të rëndësishme akademike dhe për kontributin e çmuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe arsimit universitar!



