FILIALI SARANDË- GJUHA ANGLEZE

HISTORIKU

Filiali i Universitetit të Tiranës në Sarandë e ka filluar veprimtarinë arsimore në vitin 2006 me programin “Bachelor” në degën Administrim Biznesi dhe ka vijuar në vitin 2008 me programin “Bachelor” në Gjuhë Angleze. Në vitin 2011 është aprovuar edhe hapja e programit Master Profesional në Menaxhim Turizmi. Gjatë periudhës 16-vjeçare të ushtrimit të veprimtarisë së tij, Filiali i Sarandës ka realizuar me sukses misionin e arsimit të lartë për krijimin, transmetimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e dijes me anë të mësimdhënies. Filiali i Sarandës ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në shërbim të studentëve nga shtresa dhe nivele të ndryshme shoqërore, të cilët për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike apo statusit të tyre shoqëror nuk kanë patur mundësi të kryejnë studimet e tyre në Tiranë, por megjithatë kanë gjetur në Filialin e Sarandës të njëjtën cilësi të lartë mësimdhënieje si në Universitetin e Tiranës. Filiali i Sarandës ka qenë dhe mbetet një vlerë e shtuar e këtij qyteti duke ndihmuar zhvillimin ekonomik rajonal dhe duke kontribuar në rritjen e standarteve të demokracisë dhe të qytetërimit të shoqërisë në përputhje me misionin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Programi i studimit “Bachelor” në Gjuhë Angleze në Filialin e Sarandës është një program studimi 3-vjeçar, i zhvilluar në përputhje me kurrikulën e programit të Gjuhës Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Në përfundim të studimeve të Gjuhës Angleze në Filialin e Sarandës, studentët e gjuhës angleze aftësohen të përdorin me mjeshtëri gjuhën angleze me shqiptimin dhe intonacionin e duhur që është karakteristik për folësit e anglishtes si gjuhë amtare, të kuptojnë me lehtësi gjuhën angleze dhe variantet e saj, të përdorura nga turistë anglishtfolës nga vende të ndryshme të botës, të përkthejnë me lehtësi terminologji të fushave të ndryshme në kuadrin e zhvillimeve turistike në vend, përmes përkthimit të drejtpërdrejtë dhe spontan, të organizojnë dhe drejtojnë guida turistike duke shfrytëzuar si njohuritë e gjera të gjuhës angleze, ashtu dhe ato mbi trashëgiminë kulturore, të njohin dhe respektojnë kulturat e vendeve të tjera dhe të shfaqin profesionalizëm në kuadrin e komunikimit ndërkulturor, të komunikojnë në përputhje me etikën e komunikimit dhe të përdorin me mjeshtëri si komunikimin verbal ashtu dhe atë jo-verbal sipas situatave të ndryshme komunikuese, formalitetit dhe sfondit të tyre kulturor, të përdorin regjistrin e duhur gjuhësor në varësi të formalitetit apo informalitetit të situatës së komunikimit, të mendojnë në mënyrë të pavarur, të bëjnë përmbledhje dhe të shkruajnë raporte, artikuj etj, të prezantojnë në mënyrë efikase informacionin dhe të punojnë në grup, etj. Me përfundimin e studimeve të këtij cikli studentët pajisen me Diplomë Bachelor në Gjuhë Angleze.