Sot, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT, studentja doktorante e Departamentit të Gjuhës angleze, Znj. Era Buçpapaj, mbrojti me sukses disertacionin e saj për gradën shkencore “Doktor” me temë “Katër udhëtime përkthimore të një poezie burimore”, nën udhëheqjen shkencore të Prof. Asoc. Dr. Etleva Koni (Kondi).
Ky disertacion shqyrtoi procesin kompleks të përkthimit poetik, duke marrë si rast studimor katër përkthime në shqip të poezisë “IF-” të Rudyard Kipling nga Fan.S.Noli, Vedat Kokona, Robert Shvarc dhe Ukë Zenel Buçpapaj. Përmes një qasjeje krahasuese dhe ndërdisiplinore, studimi analizon ndërthurjen e dimensioneve gjuhësore, estetike dhe kulturore që formësojnë përvojën e përkthimit poetik. Analiza tregoi se çdo variant shqip i poezisë nuk është thjesht një kopje e origjinalit, por një rijetësim poetik i kushtëzuar nga konteksti estetik, ideologjik dhe historik i përkthyesit, duke vërtetuar se përkthimi i poezisë nuk duhet të shihet vetëm si transferim gjuhësor, por si një akt krijues, etik dhe kulturor, që zgjeron horizontin e lexuesit dhe pasuron letërsinë pritëse.
Studimi kontribuon në fushën e studimeve përkthimore duke: 1. rikonceptuar përkthimin poetik si akt interpretimi dhe dialogu ndërkulturor; 2. ofruar një model analitik shtatëhapësh për shqyrtimin e procesit përkthimor, dhe 3. duke nxjerrë në pah rolin e përkthyesit si bashkatutor në krijimin e një poezie të re.
Juria e vlerësoi maksimalisht duke e rekomanduar për dhënien e gradës shkencore “ Doktor” dhe duke e cilësuar studimin një kontribut të shtuar në fushën e përkthimit të shkencave gjuhësore.
Urime Znj. Era Buçpapaj për këtë arritje të merituar dhe shumë suksese në rrugëtimin e saj akademik!










