Sot u përurua zyrtarisht Laboratori i Përkthimit Audiovizual në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në praninë e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekanes së FGJH-së, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, anëtarëve të projektit, pedagogëve të fushës së përkthimit dhe gjuhësisë dhe studentëve.
🎓 Gjatë ceremonisë së përurimit, Prof. Dr. Artan Hoxha theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore, si edhe rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si një institucion kyç në formimin akademik, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e përkthimit profesional në vend, duke vlerësuar kontributin e FGJH-së në përgatitjen e brezave të rinj të specialistëve.
Ky laborator është rezultat i projektit “Ngritja e Laboratorit të Përkthimit: Teknologji Inovative dhe Modele Europiane”, i realizuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me financim nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).
🔬 Laboratori është konceptuar si një hapësirë bashkëkohore për mësimdhënie, kërkim shkencor dhe praktikë profesionale, duke mbështetur përkthimin teknik, editorial dhe audiovizual, interpretimin, si dhe zhvillimin e teknologjive gjuhësore. Njëkohësisht, ai do t’u vijë në ndihmë institucioneve të ndryshme në vend me shërbimet e përkthimit, ekspertizën dhe mbështetjen profesionale si shërbim ndaj palëve të treta.
💻 Me pajisje teknologjike të avancuara, softuerë profesionalë, baza të dhënash elektronike dhe hapësira moderne pune individuale dhe në grup, ky laborator krijon kushte të reja për rritjen e kompetencave praktike të studentëve dhe për zhvillimin e kërkimit shkencor. Në këtë kuadër, laboratori kontribuon edhe në trajtimin gjuhësor të të dhënave dhe në krijimin e korpuseve paralele në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, duke mbështetur kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjive gjuhësore.
✨ Ky investim forcon më tej rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si qendër referimi në fushën e përkthimit dhe teknologjive gjuhësore, duke i bërë studentët tanë më konkurrues në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës.









