Në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e praktikës mësimore, Grupi Mësimor Kërkimor i Didaktikës pranë Departamentit të Gjuhës Angleze, FGJH-UT, organizoi më datë 10.02.2026 një takim informues me studentët e programit Master i Shkencave në “Mësuesi e gjuhës angleze për arsimin e mesëm të lartë”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte orientimi i tyre mbi organizimin dhe mbarëvajtjen e praktikës mësimore, në përputhje me standardet akademike dhe kërkesat institucionale.
Gjatë takimit u prezantuan udhëzimet kryesore lidhur me strukturën dhe organizimin e praktikës, hapat procedurialë që duhet të ndiqen për fillimin e saj në institucionet arsimore si dhe dokumentacioni i nevojshëm që studentët duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë. Gjithashtu, u trajtuan çështje që lidhen me kalendarin e praktikës, afatet përkatëse dhe kriteret e vlerësimit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për një proces të rregullt dhe të suksesshëm.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi duke u dhënë studentëve mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të kërkojnë sqarime mbi aspekte të ndryshme të praktikës, përfshirë përzgjedhjen e institucioneve arsimore, strukturimin e dosjes së praktikës dhe mënyrën e vlerësimit përfundimtar. Diskutimet kontribuuan në qartësimin e detajeve teknike dhe në rritjen e sigurisë së studentëve përpara nisjes së kësaj etape të rëndësishme profesionale. 👩🏫📖
Në përfundim, takimi përmbushi funksionin e tij informues dhe orientues, duke siguruar një kuadër të qartë veprimi për studentët dhe duke ndihmuar në përgatitjen e tyre për zhvillimin sa më efikas të praktikës mësimore.




