Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Dita e pestë e programit të orientimit për studentët e rinj

Në kuadër të Programit të Mirëseardhjes për studentët e vitit të parë të vitit akademik 2025–2026, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u zhvilluan dy aktivitete të rëndësishme që synuan të informojnë, motivojnë dhe nxisin studentët në fillimin e rrugëtimit të tyre universitar. 

Në pjesën e parë u organizua Prezantimi i Erasmus+, ku studentët u njohën me mundësitë e shumta që ofron ky program për studime dhe trajnime jashtë vendit. 

Studentët u informuan mbi procedurat e aplikimitkriteret e përzgjedhjes dhe universitetet partnere të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në mbarë Evropën.
Ish-pjesëmarrëset në programin Erasmus+, Steljona Gjika dhe Sabrina Ajazi, ndanë përvojat e tyre personale, duke ofruar këshilla të vlefshme dhe rrëfime frymëzuese mbi zhvillimin akademik, kulturor dhe personal gjatë periudhës së mobilitetit jashtë vendit.  

Gjithashtu, Adiola Çifliku dhe Raul Ramushi, studentë aktualë të Fakultetit që po ndjekin studimet e tyre në Universitetin e Poitiers përmes Erasmus+, u bashkuan online për të ndarë përshtypjet e para mbi ambientin universitar, mësimdhënien dhe jetën studentore në Francë.
Ky aktivitet synoi të inkurajojë studentët e rinj që të zbulojnë përfitimet e shkëmbimeve ndërkombëtare dhe të përqafojnë frymën e të mësuarit përtej kufijve.  

Në vijim, u zhvillua një takim informues me Këshillin Studentor të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku kryetarja Steljona Gjika, së bashku me përfaqësues të tjerë, prezantuan strukturën, rolin dhe misionin e këtij organi përfaqësues të studentëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet studentëve dhe stafit akademik.
Gjatë takimit, studentët u njohën me mënyrat e përfshirjes në jetën universitare, mundësitë për pjesëmarrje në aktivitete, projekte dhe trajnime që nxisin zhvillimin personal dhe profesional. 

Të dy aktivitetet u zhvilluan në një atmosferë të hapur dhe bashkëpunuese, duke shënuar një fillim të mbarë të vitit akademik dhe duke forcuar frymën e një komuniteti studentor aktiv, bashkëpunues dhe të angazhuar në jetën akademike dhe sociale të Fakultetit.