Mesazh urimi për studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

Mesazh urimi për studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja me rastin e fillimit të vitit të ri akademik

Të dashur studentë,

Ju uroj një vit të ri akademik të sukseshëm në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja!

Fakulteti ynë, pjesë e Universitetit të Tiranës, është vendi i formimit tuaj intelektual, profesional dhe qytetar.

Për këtë përgjegjësi, të gjithë kolegët e Fakultetit janë pranë jush për t`ju dhënë mjetet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqërinë tonë. Ne jemi të gjithë të angazhuar çdo ditë, me përkushtim dhe vendosmëri për të përballuar sfidat e kohës në mjedisin universitar dhe për t`u radhitur krahë institucioneve më të mira universitare të Bashkimit Europian.

Ju do të gjeni një Fakultet bashkëkohor, miqësor dhe inovativ, me infrastrukturë të zhvilluar dhe që mbështet metodologjitë e avancuara në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

Ju do të mbështeteni nga personel e struktura të ndryshme për zhvillimin tuaj akademik dhe social:

zyra e procesit mësimor; personeli ndihmës social; personel, që do t`ju orientojë në tregun e praktikës profesionale dhe të punësimit; personel, që do t`ju këshillojë për problematikat tuaja shëndetësore; personel, që do të kujdeset për ecurinë tuaj në studime dhe që do të marrë masat e nevojshme  për të garantuar suksesin tuaj; personel, që do t`ju ndjekë nga afër në aplikimet tuaja për shkëmbime në universite të tjera të botës; personel, që do t`ju mbështesë në zhvillimin tuaj për përdorimin e teknologjive e mbi të gjitha pedagogë të kualifikuar, me përvojë akademike brenda dhe jashtë vendit.

Të dashur studentë, ndërdisiplinariteti i programeve tona është bërë më shumë se një qëllim. Ai është tani një element transversal dhe strukturues për qasje të shumta mësimdhënëse dhe për organizimin e projekteve të panumërta kërkimore. Kjo qasje, tek studentët tanë, nxit kureshtjen, shkëmbimet dhe ndikimin social, i jep një kuptim të fortë angazhimit të tyre.

Ju do të mbështeteni me një qasje të personalizuar në mësimdhënie duke ndërthurrur kërkimin dhe trajnimin. Gjithëpërfshirja, misioni social është një ndër synimet tona. Ne mirëpresim studentët me aftësi ndryshe apo të veçanta dhe u krijojmë atyre një mjedis miqësor për të përmbushur dëshirat e tyre të arsimimit si gjithë të rinjtë e tjerë.

Ju do të ndiqni programe të akredituara të vlerësuara maksimalisht dhe do të jeni pjesë e projekteve të shumta me biznesin dhe partnerët tanë. Oferta jonë akademike përgatit profesionistë dhe lehtëson integrimin tuaj profesional brenda dhe jashtë vendit, në institucione të ndryshme. Ky është misioni ynë i parë, strukturimi i kësaj oferte për rrugëtimin tuaj. Të jesh një universitet i angazhuar shoqërisht do të thotë t’i lejosh çdo studenti të gjejë gjatë karrierës së tij rrugën që korrespondon me profilin e tij, aspiratat dhe projektin e tij, për t’i lejuar që të lulëzojë më pas si profesionist dhe si qytetar.

Juve ju jepet mundësia të keni një jetë studentore të pasur me veprimtari të ndryshme kulturore e solidariteti falë pjesëmarrjes në klube studentore

Nuk harrojmë ata, që kanë qenë studentë dhe që sot janë aktorë të botës social-ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Puna, që ne po kryejmë me të diplomuarit tanë, po përparon dhe do të na lejojë të mbështetemi në aftësitë e tyre, ekspertizën e tyre dhe lidhjen e tyre me Fakultetin për të pasuruar programet tona të formimit.

E ardhmja, së fundi, sigurisht që është gjithashtu shumë e lidhur me mjedisin tonë të punës dhe kontributin tonë për një formim sa më cilësor tuajin, por edhe për një kontribut të përbashkët për shqetësime globale, që kanë të bëjnë me të ardhmen e të gjithëve ne. Vendosja në qendër e studentit, qasja e të menduarit në mënyrë kritike dhe forumet e shumta në letërsi, filozofi, art, kulturë, do t`ju bëjnë të mendoni dhe të veproni si qytetarë të lirë e me peshë në vendin tuaj.

Ne flasim me krenari për atë çka kemi arritur këto vite ku shumë kolegë janë investuar dhe cilësitë e secilit prej  tyre kanë bërë të mundur arritjen e sukseseve në mësimdhënie e kërkim shkencor

Kam besim të thellë në aftësitë tona të përbashkëta për të imagjinuar, shpikur, për të jetuar dhe bërë së bashku, për të transmetuar, për të kombinuar talentet tona drejt horizonteve të reja dhe shpresëdhënëse.

 

Suksese!

Dekane

Prof.Dr. Esmeralda Kromidha