Sot, më datë 14.01.2026, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, u zhvillua aktiviteti “Erasmus+ Info Days”, i organizuar nga Drejtoria e Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë, UT, me qëllim informimin dhe orientimin e studentëve mbi mundësitë që ofron programi Erasmus+.
Gjatë takimit, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me mundësitë e mobilitetit Erasmus+ për studime, kriteret e aplikimit sipas cikleve të studimit, si dhe me dokumentacionin dhe procedurat administrative përkatëse. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu afateve të aplikimit dhe përfitimeve akademike që rrjedhin nga pjesëmarrja në program, përfshirë njohjen e krediteve, përvojën ndërkombëtare, si dhe zhvillimin profesional dhe ndërkulturor të studentëve.
Aktiviteti u zhvillua si një platformë informimi dhe bashkëbisedimi, duke u dhënë studentëve mundësinë të parashtrojnë pyetje konkrete dhe të marrin sqarime të drejtpërdrejta nga përfaqësuesi institucional, z. Ledian Hasa.
Erasmus+ Info Days kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe motivimit të studentëve për të përfituar nga programet e mobilitetit ndërkombëtar, duke forcuar më tej dimensionin evropian të arsimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.





