“Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u mbajtën këto ditë tri veprimtaritë përmbyllëse të projektit “Rreth poezisë me Luljeta Lleshanakun”, i organizuar me nismën e Klubit Letrar të Fakultetit dhe Grupit Kërkimor-Shkencor të Letërsisë në Departamentin e Gjuhës Angleze dhe i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Veprimtaritë “Mbrëmje letrare me studentët pjesëmarrës në projekt”, “Takim me poetë të rinj” dhe “Poeti i përkthyer dhe poeti përkthyes” u dhanë mundësi të ftuarve dhe audiencës të shkëmbenin mendime të ndryshme në lidhje me procesin e krijimtarisë letrare, vetëredaktimin e redaktimin, përballjen me lexuesin, mediat dhe botuesit, nevojën për lexim të thelluar, sfidat e shkrimit, pikëtakimet mes shkrimit dhe përkthimit të poezisë, si edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me secilin nga këto procese.
Studentët i drejtuan një sërë pyetjesh dhe komentesh poetes Luljeta Lleshanaku si edhe të ftuarve të tjerë, duke pasur mundësi të njohin nga afër përvojat dhe këndvështrimet e tyre krijuese.
Në mbyllje të takimeve, drejtuesja e projektit Manjola Nasi foli për vlerat e veçanta që solli ky projekt në kohëzgjatjen e tij thuajse gjashtëmujore, si edhe theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale të programeve të tilla të shkrimit letrar, të cilat ndihmojnë pjesëmarrësit në procesin e tyre krijues dhe në përmirësimin e aftësive që lidhen me të.”
















