Në kuadër të Programit të Mirëseardhjes për studentët e rinj, sot u zhvillua takimi informues me dy zyra mbështetëse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja:
- Zyra e Këshillimit të Karrierës, e përfaqësuar nga znj. Hesiona Berhomi dhe
- Zyra e Cilësisë dhe Kurrikulës, e përfaqësuar nga znj. Sema Hysa.
Gjatë takimit, studentët u njohën me misionin e Zyrës së Këshillimit të Karrierës, e cila mbështet studentët në zhvillimin e aftësive profesionale përmes trajnimeve të ndryshme, aktiviteteve orientuese, praktikave mësimore dhe mundësive të punësimit.
Studentët u inkurajuan t’i shfrytëzojnë në mënyrë aktive këto mundësi për të ndërtuar një profil të fortë profesional që nis që në vitet e studimit.
Në pjesën e dytë, studentët u njohën me rolin e Zyrës së Cilësisë dhe Kurrikulës në garantimin e standardeve akademike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të procesit mësimor. Ata u informuan mbi rëndësinë e pyetësorëve të vlerësimit të cilësisë së mësimdhënies, të cilët zhvillohen dy herë gjatë një viti akademik, si një mjet i rëndësishëm për të reflektuar mbi përvojën mësimore dhe për të kontribuuar në përmirësimin e cilësisë së studimeve.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja vijon të mbetet i përkushtuar në ofrimin e një arsimi cilësor dhe mbështetjes së gjithanshme për studentët e tij, duke kombinuar formimin akademik me zhvillimin personal dhe profesional.