Edhe në ditën e tretë të programit, më 3 korrik 2025, Shkolla Verore e Gjuhës Bullgare vijoi me sukses aktivitetet e saj. Mësimi i gjuhës praktike u zhvillua në dy nivele – fillestar dhe i avancuar – duke u përshtatur me nevojat dhe përgatitjen gjuhësore të pjesëmarrësve. Në mbështetje të lektorëve, u përfshinë katër studentë nga Universiteti „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“ i Veliko Tërnovës, të cilët kontribuan në krijimin e situatave praktike, me qëllim përvetësimin më efektiv të materialit gjuhësor.
Në kuadër të programit Erasmus+ dhe bashkëpunimit ndëruniversitar ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Veliko Tërnovës, Shkolla Verore u nderua me praninë e Dr. Tsvetelina Tsankova dhe Msr. Tihomira Atanasova. Ato mbajtën ligjërata mbi qytetin e Veliko Tërnovës dhe historikun e institucionit arsimor që përfaqësojnë. Një fokus i veçantë iu kushtua prezantimit të qendrave të specializuara për mësimin e gjuhëve të huaja, të cilat funksionojnë në kuadër të universitetit.
Vëmendje të veçantë tërhoqi Qendra „Ballkanistike“, një institucion që i kushton rëndësi të veçantë studimit të gjuhëve dhe kulturave të vendeve të Ballkanit. Në këtë kontekst, një vend të veçantë zë edhe mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare, për të cilat folën me entuziazëm studentët nga Bullgaria të apasionuar pas shqipes dhe kulturës shqiptare.