Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Trajnime e Zhvilluara për Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja

Më datë 23.04.2025,
Në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik zhvilloi një trajnim për studentët me temë: ‘‘Shkrimi i detyrave të kursit/Shkrimi akademik në universitet’’ nga Prof. Asoc. Dr. Migena Alimehmeti.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte informimi i studentëve mbi hapat kryesorë që duhen ndjekur gjatë përgatitjes së një pune akademike – që nga planifikimi fillestar, hulumtimi dhe organizimi i ideve, e deri te ndërtimi i një argumentimi të qëndrueshëm dhe përdorimi i burimeve të besueshme.

Gjatë këtij trajnimi u diskutua edhe rëndësia e stilit të të shkruarit akademik, respektimi i standardeve të citimit dhe shmangia e plagjiaturës – si pjesë thelbësore e etikës në arsim. Studentët u përfshinë aktivisht me pyetje, diskutime dhe shembuj konkretë nga përvoja e tyre.

Ky trajnim nuk ishte vetëm një mundësi për të ndarë njohuri, por edhe për të inkurajuar një qasje më të vetëdijshme dhe kritike ndaj të shkruarit akademik – një aftësi që do t’u shërbejë gjatë gjithë rrugëtimit të tyre universitar dhe më tej.

Faleminderit të gjithë studentëve pjesëmarrës për energjinë pozitive dhe angazhimin e treguar!


Më datë 10.04.2025
,

Në Bibliotekën Argjiro, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, organizoi trajnimin për studentët me temë:  ‘‘Si të aplikojmë në projekte për të rinjtë’’ nga Prof. Asoc. Dr. Elvana Shtëpani.

Disa nga pikat në të cilat u përqendrua ky trajnim ishin:

•             Identifikimi i mundësive të financimit për projekte rinore në Shqipëri dhe më gjerë;
•             Analiza e nevojave të komunitetit dhe gjenerimi i ideve për projekte novatore;
•             Zhvillimi i objektivave SMART për projekte rinore;
•             Planifikimi i aktiviteteve konkrete dhe të përshtatshme për projektin;
•             Bazat e krijimit të një buxheti të thjeshtë projekti;
•             Njohja e elementeve kryesore që bëjnë një aplikim të suksesshëm;
•             Gjetja e burimeve dhe mbështetja për hartimin e projekteve rinore etj.
Gjatë këtij trajnimi, zhvilluar në formë bashkëbisedimi me studentët pjesëmarrës, u theksua rëndësia e projekteve rinore të cilët nxisin ndryshimin pozitiv në komunitet, zhvillojnë aftësitë e lidershipit dhe bashkëpunimit tek të rinjtë, ofrojnë mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur jashtë auditorëve të fakultetit, krijojnë lidhje dhe rrjete të forta si dhe mundësojnë zërin e të rinjve të dëgjohet.

Më 03.04.2025,

Në Bibliotekën Rozafa, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Zyrën e Teknologjisë dhe Informacionit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, zhvilluan trajnimin për studentët me temë:”Informimi i studentëve mbi funksionimin e bibliotekës digjitale dhe Guide Map”.

Disa nga pikat në të cilat u përqendrua ky trajnim ishin:

• Nevoja për digjitalizimin e bibliotekës;

• Manuali i përdorimit të bibliotekës digjitale;

• Karakteristikat;

• Sistemi;

• Mënyra e regjistrimit etj;

Biblioteka digjitale synon të sigurojë një platformë gjithëpërfshirëse dhe miqësore për të gjithë përdoruesit për të aksesuar një koleksion të gjerë librash digjitalë që përfshijnë letërsi, didaktikë klasike, revista akademike, punime kërkimore, përmbajtje multimediale, artikuj të ndryshëm etj.

Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe prezantimi i “Guide Map”, një mjet tejet i nevojshëm për studentët e huaj në Fakultetin tonë, por jo vetëm. Ky mjet u vjen studentëve në ndihmë për identifikimin e rrugëve kryesore, atraksioneve turistike, vendeve historike, dhe shërbimet si restorante, stacione transporti, dhe spitale. Ai e bën më të lehtë navigimin, ndihmon në kursimin e kohës, dhe ofron siguri për ata që janë të panjohur me zonën.

     

 

Më datë 26.03.2025,

Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik zhvilloi një trajnim të dedikuar dhe të rëndësishëm për studentët me temë: ‘‘Si të hartojmë një artikull/punim shkencor’’ nga Prof. Asoc. Dr. Eglantina Gishti.
Gjatë këtij trajnimi, u shqyrtuan teknikat dhe metodat më të efektshme të hulumtimit , si dhe mënyrat e strukturës së një punimi shkencor.  U diskutuan aspekte të ndryshme, përfshirë rëndësinë e një hyrjeje të qartë , shkrimit të referencave dhe citimeve , si dhe ndihmës së literaturës shkencore për mbështetje të argumenteve.
Ky trajnim ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët për të përmirësuar aftësitë e tyre akademike dhe për të krijuar punime shkencore me cilësi të lartë .

Më datë 25.03.2025,

Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja , organizoi modulin e diskutimit për personelin akademik dhe studentët me temë: “Strategji të mësimdhënies për të përmirësuar motivimin e studentëve gjatë studimeve”.

Gjatë këtij moduli Prof. Asoc. Dr Hatixhe Leka, në bashkëpunim me pedagogë dhe studentë, diskutuan mbi zhvillimin e metodologjive të mësimdhënies me qëllim nxitjen e motivimit të studentëve dhe arritjen e suksesit të tyre akademik.

Qasjet krijuese të mësimdhënies dhe shumëllojshmëria e aktiviteteve ishin dy nga strategjitë e vlerësuara më së shumti nga pjesmarrësit krahas, gjithëpërfshirjes, vendosjes së objektivave të qarta të orës mësimore, inkurajimit të studentëve etj.


Më 18 Mars 2025,
Në Ditën e Riciklimit, 18 Mars 2025, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, zhvilloi takimin “Green Day FGJH/UT”, një takim që synoi sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin qytetar të studentëve të këtij fakulteti dhe jo vetëm.

Takimin e hapi Koordinatorja e Klubit të Ambientalistëve FGJH, Prof. Asoc. Dr. Aida Gjinali, e cila prezantoi politikat mjedisore të FGJH-së, nismat e ndërmarra dhe aktivitetet e zhvilluara nga FGJH/UT.

Të ftuar në këtë takim ishin:

– Prof. Asoc. Dr. Mihallaq Qirjo, pedagog pranë FSHN dhe Drejtor i Qendrës Burimore në Shqipëri,

– Prof. Asoc. Dr. Laura Gjyli, pedagoge pranë UAMD, nismëtare dhe koordinatore e lëvizjes vullnetare-qytetare-edukuese-mjedisore @cleanishemriver; të cilët në fjalën e tyre referuese paraqitën problematikat që paraqet mjedisi ku jetojmë ne sot, ndryshimet klimaterike, pasojat që sjell ndotja në aspekte të ndryshme të Faunës dhe Florës, ujërave dhe shëndetit tonë dhe gjithashtu si gjithsecili prej nesh mund të ofrojë kontributin e tij sado të vogël në mbrojtje e tij.

Gjithashtu në këtë takim u paraqitën aktivitetet e shumta të kryera deri më sot nga UAMD-ja në bashkëpunim me shkollat e ndryshme dhe organizata që kanë si objekt ruajtjen e mjedisit.

E pranishme ishte gjithashtu znj. Nertila Miçollari, Menaxhere e projektit Klima Sot, Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri, e cila paraqiti burimet informative virtuale ku gjithsecili nga ne mund të marrë informacione lidhur me mjedisin dhe ndryshimet drastike klimaterike në vendin tonë.

Duke falënderuar pjesëmarrësit, profesorë e studentë të pranishëm në takim, urojmë që ky takim të shndërrohet në të ardhmen në nisma konkrete të ndërmarra së bashku në mbrojtje të mjedisit dhe Tokës ku ne jetojmë.

Më 04.03.2025,

Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Zyrën e Këshillimit të Karrierës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, organizoi një trajnim të rëndësishëm për studentët me temë: “Si të bëhemi sipërmarrës. Planifikimi i karrierës, zhvillimi dhe ndërtimi i rrjetit të kontakteve”.

E ftuar në këtë trajnim ishte Znj. Chiara Carcano, Manager B2C pranë kompanisë Alpitour S.p.a. Ajo ndau me studentët informacion të vlefshëm mbi zgjerimin e rrjetit të kontakteve, rëndësinë e planifikimit të karrierës dhe përgatitjen për t’u bërë sipërmarrës të suksesshëm.

Ajo theksoi gjithashtu mundësitë e punësimit për studentët gjatë dhe pas përfundimit të studimeve, duke i inkurajuar ata të aplikojnë për praktika dhe pozicione pune në fushat e tyre të interesit në një kompani lider si Alpitour World, një emër i njohur për profesionalizëm dhe inovacion në turizëm për më shumë se 75 vjet.

 

Më datë 26 shkurt 2025,

Në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, u zhvillua leksioni i hapur me temë: “Aplikimi i qasjes së mësimdhënies me zhvillimin e projekteve dhe zgjidhje problemesh”.

Në këtë leksion Prof. Asoc. Dr. Aida Gjinali, në bashkëpunim me pedagogë dhe studentë, diskutuan mbi elementët thelbësorë dhe avantazhet e të nxënit bazuar në projekte, si dhe sollën shembuj praktikë e konkretë të realizimit dhe menaxhimit të projekteve në klasë.

Sot më datë 25.02.2025,

Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Degën e IT-së në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, organizoi një trajnim të dedikuar për studentët me temë “Regjistrimi dhe Log-imi në Platformën Ndërvepruese të Punësimit FGJH-Biznes”.

Në këtë trajnim, studentët u ftuan:

– të bëhen pjesë e këtij komuniteti dinamik të punësimit;

– të ngarkojnë CV-në e tyre në formatin e përcaktuar në portal; CV është pasaporta drejt punës së ëndrrave dhe hapi i parë që punëdhënësit të zbulojnë talentin dhe aftësitë e

studentëve.

– të eksplorojnë ofertat e punës në platformë dhe të gjejnë mundësinë që përputhet me ambiciet e

tyre profesionale.

– të aplikojnë për vende pune, internship-e, projekte dhe bashkëpunime të ndryshme;

Kjo platformë është çelësi me anë të të cilit studentët tanë mund të zbulojnë profesionin e së ardhmes!

Regjistrohuni tani dhe bëhuni pjesë e rrjetit të profesionistëve në të ardhmen!

 

 

16.01.2025

Më datë 16.01.2025, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në bashkëpunim me Zyrën e Psikologut në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizuan trajnimin për studentët me temë: ‘‘Menaxhimi i stresit dhe përdorimi me efektivitet i teknikave të caktuara për ekuilibrimin e tij’’.

U diskutuan aspekte të ndryshme të stresit, duke përfshirë:

  • Konceptin e stresit dhe llojet e tij – Kuptimi i stresit dhe identifikimi i formave të ndryshme që ai mund të marrë.
  • Efektet e stresit – Si ndikon stresi në trup dhe mendje, duke shkaktuar pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.
  • Teknikat e menaxhimit të stresit para provimeve – Metoda dhe strategji për të përballuar stresin para dhe gjatë sezonit të provimeve, përfshirë relaksimin dhe teknikat e frymëmarrjes.
  • Pasojat në shëndetin fizik dhe mendor – Si ndikon stresi në shëndetin e përgjithshëm dhe si mund të parandalohet ndikimi i tij negativ.

Ky trajnim u zhvillua për të ndihmuar studentët të menaxhojnë stresin dhe të përgatiten emocionalisht dhe fizikisht për provimet, duke përdorur teknika për përmirësimin e fokusit dhe performancës.

13.01.2025

Më datë 13.01.2025, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, organizuam trajnimin për studentët me temë: ‘‘Njohja dhe përdorimi i aplikacionave të inteligjencës artificiale (AI) dhe ChatGPT’’

‘‘Sistemi e-Student dhe fuksioni I tij’’, ku u ndanë njohuri dhe praktika mbi:

  • Njohjen dhe përdorimin e aplikacioneve të inteligjencës artificiale (AI);

Gjatë këtij sesioni, diskutuam dhe prezantuam aplikacione të fuqishme si:

ChatGPT, Copilot, Glarity, Explainpaper, Quillbot, Futurepedia, dhe Rytr për të lehtësuar studimin, krijimtarinë dhe produktivitetin. Studentët u njohën gjithashtu me aplikacione dhe mjete të tjera praktike, si Everything, Swisstransfer, dhe CareUEyes.

  • Sistemi e-Student dhe funksionalitetet e tij;

Studentët mësuan se si të përdorin sistemin e-Student për:

  •  t’u loguar dhe regjistruar në provime;
  •  të dërguar kërkesa për përmirësimin e notave;
  •  të konsultuar të dhënat personale, historikun e regjistrimeve dhe listën e notave;
  •  të bërë ankimimin e notave;
  •  të aksesuar të dhënat financiare dhe tarifat sipas programeve të ndjekura.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte pajisja e studentëve me mjete dhe njohuri praktike për t’i ndihmuar ata të jenë më produktivë dhe të orientuar drejt teknologjisë moderne.

Në datë 03.12.2024,  

 

Në sallën Evropa të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në Bashkëpunim me zyrën e Vlerësimit të Cilësisë dhe Kurrikulës, zhvilluan takimin me studentët ku u diskutua mbi mënyrën dhe rëndësinë e plotësimit të pyetësorit për vlerësimin e lëndës dhe pedagogut.  

Ky pyetësor luan një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe përshtatjen e metodologjive ndaj nevojave të studentëve, duke i inkurajuar ata ta shohin këtë si një mundësi për të ndikuar pozitivisht në të ardhmen e fakultetit tonë. 
   

 

 

Më datë 25.11.2024, në kuadër të zhvillimit teknologjik për studentët, u organizua trajnimi “Përdorimi i avancuar i paketës Microsoft Office”. Qëllimi kryesor ishte aftësimi i studentëve për përdorimin efektiv të veçorive të avancuara të Microsoft Word dhe PowerPoint, duke përfshirë krijimin e dokumenteve profesionale dhe prezantimeve të strukturuara në mënyrë tërheqëse dhe funksionale. Gjatë trajnimit, studentët patën mundësinë të praktikojnë duke krijuar një prezantim të ri nga fillimi, duke zbatuar të gjitha konceptet e mësuara.

 

Më datë 19.11.2024, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizoi trajnimin për studentët me temë: “Privatësia në epokën digjitale: Mbrojtja e informacionit personal” duke u fokusuar në një nga çështjet më të rëndësishme të epokës moderne.

Pjesë e panelit ishin:

Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Angleze, e cila i informoi e këshilloi studentët në nivel pedagogu mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në një botë gjithnjë e më të lidhur teknologjikisht, duke theksuar terma si “mbrojtja e privatësisë”, “kujdesi me email-et” dhe “përditësimi i fjalëkalimeve”.

Z. Enxhi Mete, ekspert i sigurisë kibernetike pranë Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, i cili ndau njohuri të thelluara mbi rreziqet dhe sfidat që paraqiten në epokën digjitale. Ai i këshilloi studentët që t’i mbrojnë të dhënat personale përmes fjalëkalimeve të forta, verifikimit me dy faktorë dhe vëmendjes ndaj phishing-ut. Gjithashtu, theksoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm mbi teknologjitë e reja, kërcënimet që mund të sjellin ato, si dhe kujdesin maksimal në përdorimin e platformave digjitale dhe dhënien e informacionit personal.

Dejan Kushta, specialist IT dhe Web pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, i cili foli mbi strategjitë për ruajtjen e privatësisë online dhe politikat e sigurta që studentët duhet të ndjekin për t’u mbrojtur në botën digjitale. Ai ndau disa shembuj konkretë dhe praktika të mira, duke nxitur studentët të ndërtojnë një qasje të përgjegjshme dhe të sigurt ndaj përdorimit të teknologjisë. Prezantimin e mbylli me një video të punuar prej tij për ndërgjegjësimin në lidhje me ndarjen e të dhënave në rrjetet sociale.

Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë situata të ndryshme që lidhen me privatësinë dhe sigurinë kibernetike, duke marrë përgjigje dhe udhëzime konkrete nga ekspertët.

 

Më datë 07.11.2024 në Salla Evropa të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja u zhvillua trajnimi për personelin akademik me temë:

“ChatGPT dhe Inovacionet e Inteligjencës Artificiale (AI) në Mësimdhënie”.

Ky trajnim u organizua nga Zyra e Teknologjisë dhe Informacionit në bashkëpunim me Degën e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, duke sjellë një qasje gjithëpërfshirëse për përditësimin e njohurive në fushën e AI.

Qëllimet e këtij trajnimi ishin:

  • Azhornimi i njohurive për mjetet e avancuara si CareUeyes, Everything, SwissTransfer, BandiCam. Kulla-Shqip, etj;
  • Teknologjitë AI si: Quillbot, Glarity, languageTool, AI-Detector, etj;
  •  Kuptimi i potencialit të ChatGPT dhe mjeteve të tjera të fuqizuara nga AI për fushën e mësimdhënies;
  • Eksperienca praktike me shkarkimin, testimin dhe njohjen direkte të aplikacioneve

 

 

 

Më datë 30 Prill 2024

Në kuadër të bashkëpunimit me biznesin, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në bashkëpunim me agjencinë Zemra Travel organizuan leksionin e hapur me temë:

“Teknikat e komunikimit për një ndërveprim profesional”

Në këtë leksion të hapur Z. Elkierd Deliu dhe Z. Eduart Çekoja guida turistike të certifikuara, me një eksperiencë shumëvjeçare në fushën e turizmit, të shoqërimit të turistëve të huaj në Shqipëri dhe themelues të Agjencisë turistike ‘’Zemra Travel’’ ndanë përvoja konkrete të angazhimit të tyre në këtë sektor duke diskutuar mbi:

  • Strategjitë dhe teknikat e komunikimit në fushën e turizmit;
  • Imazhi i destinacionit dhe produkti turistik;
  • Elementët që ndërtojnë imazhin turistik;
  • Roli i medias në ndërtimin e imazhit të destinacionit turistik;
  • Brand-i, roli i Brand-it në turizëm dhe ndikimi i tij në perceptimin dhe zgjedhjen e konsumatorit;
  • Guida turistike dhe roli i tij si ambasador i kulturës së një vendi;
  • Aspekte rreth qëndrueshmërisë në turizëm, këshilla;
  • Integriteti dhe ndershmëria në këtë industri;
  • Perceptimi dhe qasja e koncepteve ‘’turist’’ dhe ‘’udhëtar’’;
  • Ruajtja e traditave dhe e zakoneve;
  • Të mësuarit gjatë gjithë jetës, fleksibiliteti, kreativiteti dhe përdorimi i teknologjive të reja në përmirësimin e karrierës profesionale.

Prania e pedagogëve stimuloi diskutime dhe shkëmbime të ideve mes tyre dhe studentëve duke i ndihmuar këta të fundit në zhvillimin e një qasje të përgjegjshme dhe të pasur ndaj temës së këtij leksioni.

  1. Eduart Çekoja, ish-student i këtij Fakulteti, në departamentin e gjuhës frënge, ftoi studentët ti shohim me prioritet studimet e nivelit të dytë Master ‘’Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik’’ si një profesion i të ardhmes dhe të mësojnë jo vetëm një por disa gjuhë të huaja.

Me anë të bashkëpunimeve të tilla FGJH-BIZNES, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja përveç programeve mësimore në auditor i ofron studentëve edhe mundësi bashkëpunimi me përfaqësues të sipërmarrjeve të ndryshme për të zhvilluar projekte të karrierës së tyre profesionale dhe praktika mësimore.

 

Më datë 09 Prill 2024

Zyrës së Këshillimit të Karrierës në Bashkinë e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillimit të Karrierës në Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan leksionin e hapur me temë: “Planifikimi i karrierës, zhvillimi dhe ndërtimi i rrjetit të kontakteve”. Gjatë këtij aktiviteti u theksua rëndësia e planifikimit të karrierës për të gjithë studentët, u diskutua mbi mundësitë e punësimit të studentëve gjatë dhe pas përfundimit të studimeve si dhe mbi projekte të ofruara nga Zyra e Punësimit në Bashkinë e Tiranës, duke inkurajuar studentët të marrin pjesë në praktikat e tyre mësimore dhe të aplikojnë për projekte apo pozicione pune në fushat e tyre të interesit.

Më date 28 Mars 2024

Zyra e Psikologut në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizoi diskutimin e hapur për studentët me temë: “Faktorët nxitës të dhunës”. Gjatë këtij diskutimi, studentët  mësuan si të evidentojnë faktorët nxitës të dhunës, si të menaxhojnë sjelljet agresive si dhe u informuan mbi strategjitë për minimizimin e dhunës.

 

Më datë 21 mars 2024

Zyra e Psikologut në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja organizoi diskutimin e hapur me studentët: “Motivimi për realizimin me sukses të studimeve.” Motivimi është çelësi për të arritur suksesin prandaj synimi i këtij diskutimi ishte pajisja e studentëve me mjetet që u nevojiten për të qëndruar të frymëzuar dhe të fokusuar në qëllimet e tyre akademike. Gjatë këtij diskutimi, studentët mësuan se si të vendosin qëllime specifike; të kapërcejnë pengesat dhe të mbajnë një qasje.

Më datë 11 mars 2024

Në bibliotekën Rozafa të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, u zhvillua leksioni i hapur me temë “Aplikimi i qasjes së mësimdhënies me zhvillimin e projekteve dhe zgjidhje problemesh”. Në këtë leksion Prof. Assoc. Dr. Aida Gjinali, në bashkëpunim me pedagogë, doktorantë dhe studentë, diskutuan mbi elementët thelbësorë dhe avantazhet e të nxënit bazuar në projekte, si dhe sollën shembuj praktikë e konkretë të realizimit dhe menaxhimit të projekteve në klasë me nje qasje pozitive për të përmirësuar përvojën e tyre të të studiuarit.

Më datë 26 shkurt 2024

Në sallën “Evropa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të bashkëpunimit me biznesin “Elite Travel Group”, u zhvillua leksioni i hapur me temë:

“Strategjitë e marketingut digjital në industrinë e turizmit”

Zj. Ana Kotherja, Z. Kristi Dodbiba dhe Z. Andi Proda pjesë e stafit të kësaj agjencie informuan studentët mbi rëndësinë e marketingut digjital në industrinë e turizmit dhe të strategjive të komunikimit.

Në këtë leksion të hapur u fol gjithashtu mbi rolin e marketingut Mix në fushën turizmit, identifikimin e audiences së synuar, markën si dhe rëndësinë e mediave sociale Metasearch, shitjen dhe e-shitjen, Platforms & Tools Online.

Studentët morën njohuri të vlefshme mbi praktikat e mira të komunimikit dhe marketingut digjital në fushën e turizmit.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të vijojë të ftojë biznese dhe institucione të ndryshme për të lidhur gjithmonë e më shumë studentët me tregun e punës.

Më datë 23 shkurt 2024

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja , u organizua leksioni i hapur me temë “Strategji të mësimdhënies për të përmirësuar motivimin e studentëve gjatë studimeve”.

Në këtë leksion Prof. Assoc. Dr Hatixhe Leka, në bashkëpunim me pedagogë dhe studentë, diskutuan mbi zhvillimin e metodologjive të mësimdhënies me qëllim nxitjen e motivimit të studentëve dhe arritjen e suksesit të tyre akademik.

Qasjet krijuese të mësimdhënies dhe shumëllojshmëria e aktiviteteve ishin dy nga strategjitë e vlerësuara më së shumti nga pjesmarrësit krahas, gjithëpërfshirjes, vendosjes së objektivave të qarta të orës mësimore, inkurajimit të studentëve etj.

 

Më datë 20 shkurt 2024

Në sallën “Evropa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të bashkëpunimit me biznesin “Elite Travel Group”, u zhvillua leksioni i hapur me temë: “Industria e turizmit, markat, profesionet dhe mjedisi digjital”.

  1. Elvis Kotherja Drejtor i Agjencisë “Elite Travel Group” dhe Kristi Dodbiba trajnues në këtë agjenci, ndanë përvoja konkrete duke diskutuar mbi:

– Një analizë të përgjithshme mbi industrinë e turizmit

– Markat ndërkombëtare sipas sektorëve, lista e profesioneve dhe mjediset e tyre përkatëse të mjeteve digjitale

– Rëndësia e turizmit në ekonominë Shqiptare, prespektivat dhe e ardhmja

Studentët shprehën interes të marrin pjesë në trajnime të ofruara nga kjo agjenci si dhe për të zhvilluar projektin e karrierës së tyre profesionale si një mundësi më shumë për ata.

 

Më 13 shkurt 2024

Në sallën “Evropa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të bashkëpunimit me biznesin “Elite Travel Group”, u zhvillua leksioni i hapur me temë: “Turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri si një mundësi më shumë për studentët e FGjH-së”.

Dekania e FGJH-së, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha theksoi edhe një herë vizionin e Fakultetit për t’u ofruar studentëve përveç programit mësimor në auditor edhe mundësi të bashkëpunimit e diskutimit me përfaqësues të sipërmarrjeve të ndryshme për të zhvilluar projektin e karrierës së tyre profesionale.

Zhvillimi i qëndrueshëm shihet si një sfidë në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik por edhe atë social duke menduar për vijimin e jetës edhe për brezat e ardhshëm të shoqërisë.

Në këtë diskutim Z. Mathias Palm “Trajnues i guidave turistike” në kompaninë Gjermane Gebeco dhe Z. Elvis Kotherja Drejtor i Agjencisë “Elite Travel Group” ndanë përvoja konkrete duke diskutuar mbi:

– Qëndrueshmërinë në përgjithësi, koncept që shumica e të rinjve e lidhin atë kryesisht me mjedisin.

– Aspekte rreth qëndrueshmërisë në turizëm, këshilla.

– Integriteti dhe ndershmëria në këtë industri.

– Të mësuarit gjatë gjithë jetës, fleksibiliteti, kreativiteti dhe përdorimi i teknologjisë në përmirësimin e karrierës profesionale.

 

 

11 janar 2024

Më datë 11.01.2024, u zhvillua trajnimi për studentët me temë:

“Menaxhimi i stresit dhe përdorimi me efektivitet i teknikave të caktuara për ekuilibrimin e tij” nga zyra e Psikologut në FGJH.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i studentëve mbi përdorimin me efektivitet të teknikave për ekuilibrimin e stresit, si dhe menaxhimin e tij para sezonit të provimeve.

10 janar 2024

Më datë 10.01.2024, u zhvillua trajnimi për studentët me temë:

”Informimi mbi përdorimin e sistemit informatik e-Student  nga zyra e Teknologjisë dhe Informacionit.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte informimi i studentëve mbi:

-Login-in në sistemin e-Student,

-regjistrimi në provime,

-lista e notave,

-kërkesa për përmirësim note etj”

 

11 dhjetor 2023

Më datë 11.12.2023 u zhvillua trajnimi për studentët me temë: Vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies nga zyra e Cilësisë dhe Kurrikulës. Në këtë takim informues studentët u informuan mbi mënyrën e shpërndarjes dhe plotësimin e pyetësorit “Vlerësimi i mësimdhënies” për vitin akademik 2023-2024.

 

 

07  nentor 2023

Më datë 07.11.2023, u zhvillua trajnimi për studentët dhe doktorantët me temë:

‘‘Teknikat e menaxhimit të kohës dhe praktikat produktive në marrjen e shënimeve në auditor, 

‘‘Zhvillimi i aftësive të shkrimit akademik, dhe citimet e referencave’’ nga Prof.Asoc.Dr Lorena Dedja.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte përdorimi i teknikave të menaxhimit të kohës, duke ofruar mënyra efikase për të optimizuar përdorimin e saj në marrjen e shënimeve.

Në këtë trajnim, gjithashtu u dha vëmendje e veçantë strukturës së shkrimit akademik, përfshirë përdorimin e citimeve të referencave dhe burimeve të besueshme të informacionit duke ndihmuar studentët dhe doktorantët të zhvillojnë një përvojë të suksesshme në fushën e mësidhënies/mësimnxënies, studimit dhe hulumtimit.

30 tetor 23

Më datë 30.10.2023, u zhvillua trajnimi për studentët me temë:

‘‘Njohja dhe përdorimi i aplikacioneve të inteligjencës artificiale(AI)’’,‘‘Përdorimi i ChatGPT për qëllime didaktike’’ nga zyra e Teknologjisë dhe Informacionit.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja e studentëve  me botën e AI, me potencialin e ChatGPT dhe eksplorimin e mjetet të fuqizuara nga AI që lidhen me fushën e studimeve të gjuhëve të huaja dhe aktiviteteve akademike dhe profesionale.