“Prof. E. Çabej përmes letërkëmbimit me kolege dhe kolegë të gjuhës gjermane”
Tiranë, 9 nëntor 2023
Në kuadër të Projektit në mbështetje të kërkimit shkencor dhe në mbështetje të kërkuesve të rinj Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës do të organizojë një konferencë shkencore ndërkombëtare për personalitetin e gjuhësisë shqiptare, prof. Eqrem Çabej. Konferenca do të shoqërohet me një ekspozitë me materiale të profesor Çabejt (fotografi, dorëshkrime, publikime dhe postera shkencorë të studiuesve). Viti 2023 përkon me 115-vjetorin e lindjes së Çabejt.
Konferenca do të shërbejë si një platformë e shkëmbimit shkencor për akademikun E. Çabej dhe paraqitjen e tij sa më të plotë si gjuhëtar dhe njeri. Krahas vlerësimit të arritjeve të prof. E. Çabej, vështruar sidomos në kuadrin e gjendjes së sotme dhe të detyrave të reja në fushat e hulumtuara prej tij, do të paraqiten edhe burime të panjohura deri më sot, siç është letërkëmbimi i Profesorit me kolegë të gjuhës gjermane.
Nëpërmjet këtij letërkëmbimi, ruajtur me shumë kujdes nga e bija, znj. Brikena Çabej, do të paraqitet perceptimi i këtij personaliteti nga këndvështrimi i kolegëve të gjuhës gjermane dhe do të ndriçohen më mirë një numër problemesh të trajtuara në veprat e tij.
Gjuhët e Konferencës: shqipja dhe gjermanishtja
Afate dhe data të rëndësishme:
Data e Konferencës/Ekspozitës: 9 Nëntor 2023
Vendi i zhvillimit: Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë
Data e dërgimit të abstrakteve: 9 shtator 2023
Njoftimi i pranimit të prezantimit: 14 tetor 2023
Kohëzgjatja e prezantimit: 30 minuta, bashkë me diskutimet.
Adresat elektronike për dërgimin e Abstrakteve/Email an: [email protected]