Sot, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT, studentja doktorante e Departamentit të Gjuhës angleze, Znj. Sonila Alla, mbrojti me sukses disertacionin e saj për gradën shkencore “Doktor” me temë “Aspekte të kontributit të përkthyesit dhe albanologut Xhon Hoxhson në përkthimet nga gjuha shqipe në gjuhën angleze në kuadrin e studimeve përkthimore në Shqipëri”, nën udhëheqjen shkencore të Prof. Dr. Viktor Ristani.
Ky disertacion shqyrtoi kontributin e përkthyesit dhe alabanologut britanik Xhon Hoxhson në përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë nga gjuha shqipe në gjuhën angleze, duke e vendosur analizën brenda kornizës së studimeve përkthimore në Shqipëri.
Në një kohë kur globalizimi ka shtuar nevojën për komunikim ndërkulturor, studimi nxorri në pah rolin e përkthimit si akt krijues dhe interpretues që mundëson ndërmjetësimin e kulturave dhe ruan autenticitetin gjuhësor dhe letrar të teksteve origjinale.
Studimi përfshiu analizën e hollësishme të përkthimit të tri veprave letrare madhore të Ismail Kadaresë; Ura me tri harqe, Darka e gabuar dhe Kamarja e turpit. Krahasimi ndërmejt versioneve origjinale dhe përkthimore shqyrtoi leksikun, sintaksën, elementët stilistikë dhe refrencat kulturore, duke evidentuar strategjitë përkthimore të Xhon Hoxhsonit dhe ndikimin e tyre në perceptimin ndërkombëtar të letërsisë shqiptare.
Rezultatet e studimit treguan se përkthimet e Hoxhsonit dallohen për ruajtjen e integritetit estetik dhe kulturor, duke u shndërruar në një proces hermeneutik që ushqen dialogun ndërkulturor.
Juria e vlerësoi maksimalisht duke e rekomanduar për dhënien e gradës shkencore “ Doktor” dhe duke e cilësuar studimin një kontribut me vlerë në zhvillimin e studimeve përkthimore në Shqipëri, në përmirësimin e praktikave profesionale dhe në forcimin e dialogut ndërkulturor në epokën e globalizimit.
Urime Znj. Sonila Alla për këtë arritje të merituar dhe shumë suksese në rrugëtimin e saj akademik!











