Projekti DIDAFÉ i financuar nga Bashkimi Evropian
Përmbledhje e Seminarit
Me qëllim zhvillimin dhe forcimin e aftësive profesionale në mësimdhënien e gjuhës frënge të shkruar, ky seminar, i zhvilluar në kuadër të projektit DIDAFÉ, është menduar kryesisht për studentët që përgatiten të japin mësim gjuhën frënge në institucione fillore, të mesme, universitare dhe institucione të tjera formimi (publike ose shoqata).
Mësimdhënia e gjuhës frënge të shkruar merret në konsideratë në disa situata: gjuha frënge si gjuhë e parë (FLM), gjuha frënge si gjuhë e dytë ose e huaj (FLS/FLE), gjuha frënge për qëllime specifike (FOS), gjuha frënge për qëllime universitare (FOU), gjuha frënge si gjuhë integrimi (FLI), gjuha frënge si lëndë jo-gjuhësore (DNL), etj.
Në këto kontekste të ndryshme, ndërsa gjuha frënge e shkruar mbetet lënda që duhet të mësohet, mësimdhënia e saj përshtatet sipas audiencës së synuar, objektivave të trajnimit, llojeve të të shkruarit dhe funksioneve të tyre, gjë që kërkon marrjen në konsideratë të pikave të përbashkëta, si dhe të specifikave të natyrshme të këtyre konteksteve.
Trajnimi zhvillohet online/në distancë. Ai përfshin 24 orë, ose dymbëdhjetë seanca dy-orëshe. Ai bashkon studentë nga universitetet partnere të projektit DIDAFÉ (Universiteti i Bordeaux-INSPÉ, Universiteti i Bordeaux Montaigne, Universiteti i Sorbonës-INSPÉ i Parisit, Universiteti i Tiranës/Shqipëri, Universiteti i Novi Sadi/Serbi dhe Universiteti i Bukureshtit/Rumani). Çdo seancë drejtohet nga dy ose tre profesorë nga universitete të ndryshme. Në këtë seminar marrin pjesë pedagogët e gjuhës frënge të cilët janë ekipi i projektit për UT-në, si dhe studentë të gjuhës frënge në Departamentin e Gjuhës Frënge të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Tiranë. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësve që e kanë përfunduar atë do t’u jepet një certifikatë.

