Më 2 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijoi me sukses mësimi i gjuhës praktike, i udhëhequr nga pedagogët e bullgarishtes, Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello. Në këtë aktivitet u përfshinë edhe katër studentë nga Universiteti „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“ i Veliko Tërnovës, të cilët janë në procesin e studimit të gjuhës shqipe. Kjo nismë përbën një praktikë të re dhe inovative në mësimin e ndërsjellë të gjuhëve, ku studentët bullgarë dhe shqiptarë mësojnë në grupe të përziera, duke u ndihmuar nga njëri-tjetri për avancimin e aftësive gjuhësore dhe krijimin e urave të miqësisë.
Në kuadër të programit Erasmus+ dhe bashkëpunimit ndëruniversitar midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Veliko Tërnovës “Shenjtorët Kirili dhe Metodi”, në Shkollën Verore mori pjesë edhe Prof. Dr. Slavi Dimitrov. Profesori bullgar, i cili ushtron edhe detyrën e Zv. Dekanit për Kërkimin Shkencor dhe Marrëdhëniet me Jashtë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Veliko Tërnovës, mbajti ligjëratën me temën: „Trashëgimia kulturore dhe historike e Veliko Tërnovës si mundësi për zhvillimin e turizmit“. Ai prezantoi për studentët rëndësinë e Veliko Tërnovës si kryeqytet historik i Mbretërisë së Dytë Bullgare dhe si qendër shpirtërore e Bullgarisë moderne.
Studentët shprehën interes të veçantë për Seminarin Veror të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, të organizuar nga Universiteti i Veliko Tërnovës, ku këtë vit do të marrin pjesë edhe katër studentë nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës.