Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe formuese, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik, në bashkëpunim me Degën e Teknologjisë së Informacionit në FGJH, organizuan një trajnim për studentët e fakultetit me temë:
“Privatësia në Epokën Digjitale: Mbrojtja e Informacionit Personal.”
Trajnimi kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve mbi rëndësinë e privatësisë digjitale dhe sfidat që lidhen me përdorimin e përditshëm të platformave online, rrjeteve sociale dhe teknologjive digjitale. Gjatë sesionit u trajtuan, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, tema si mbrojtja e informacionit personal, rreziqet më të zakonshme online, siguria në rrjetet sociale dhe përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë.
Në përputhje me qasjen interaktive të prezantimit, trajnimi u zhvillua përmes kombinimit të prezantimeve teorike, quiz-eve, diskutimeve të hapura dhe shembujve praktikë nga jeta e përditshme digjitale, duke nxitur angazhimin aktiv të studentëve dhe reflektimin mbi mënyrën se si ata menaxhojnë privatësinë e tyre online.
Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu parimeve bazë të mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtave të individit në epokën digjitale, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture digjitale të sigurt, etike dhe të përgjegjshme brenda komunitetit akademik.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mbetet i angazhuar në organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat kontribuojnë jo vetëm në formimin profesional, por edhe në edukimin qytetar të studentëve, duke i përgatitur ata për sfidat dhe përgjegjësitë e shoqërisë digjitale bashkëkohore.





