Më 17 shkurt 2026, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, organizoi një tryezë të gjerë pune me përfaqësues të institucioneve kryesore të arsimit parauniversitar, drejtues shkollash, mësues, alumni dhe studentë të rinj të punësuar në mësuesi. Qëllimi i aktivitetit ishte nxitja e dialogut institucional mbi harmonizimin e formimit universitar me realitetin e mësimdhënies së gjuhëve të huaja në arsimin parauniversitar.
Në fjalën e saj të hapjes, Dekania e FGJH, znj. Esmeralda Kromidha u ndal tek koncepti i shumëgjuhësisë, formimi i mësuesve të gjuhëve të huaja si një nga shtyllat e misionit të FGJH-së, sfidat e punësimit të mësuesve të rinj, rolin e arsimit parauniversitar në përditësimin e programeve të mësuesisë, nevojën për përafrimin e programeve me kornizat evropiane të bazuara në kompetenca duke theksuar rolin e bashkëpunimit mes të gjitha institucioneve të pranishme në këtë tryezë. Zv. Rektorja e Universitetit të Tiranës, znj. Anila Paparisto, mbështeti institucionalisht diskutimet e zhvilluara në tryezë, duke theksuar se çështjet e trajtuara prekin të gjitha fushat e mësuesisë në UT. Ajo nënvizoi rolin e Universitetit të Tiranës në formimin fillestar dhe të vazhduar të mësuesve, si edhe nevojën për një qasje proaktive dhe një dialog të strukturuar e të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Tryeza u moderua nga Znj. Drita Rira, Zv. Dekane e FGJH, dhe nga Znj. Daniela Hasa, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Angleze.
Në panel morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ASCAP, QSHA, DRAP/ZVAP Tiranë, drejtues shkollash të mesme, shoqata profesionale të mësuesve të gjuhëve të huaja, si dhe mësues me përvojë e alumni të FGJH, përgjegjësit e Departamenteve të FGJH-së, kolegë të didaktikës, studentë, të cilët trajtuan çështje me rëndësi kombëtare për formimin dhe ushtrimin e profesionit të mësuesit të gjuhëve të huaja.
Z. Shkëlqim Allkaj, Drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit të Politikave dhe Programeve të Arsimit Parauniversitar, MA, u ndal në rolin e gjuhëve të huaja në kurrikulën parauniversitare dhe në përputhshmërinë me rekomandimet e Këshillit të Evropës, si dhe në nismat dhe prioritetet aktuale në kuadër të politikave për zhvillimin e arsimit parauniversitar. Diskutimi i tij u zhvillua si në nivel të politikave, ashtu edhe në plan teknik, duke adresuar çështje konkrete të zbatimit. Ai u shpreh i gatshëm për bashkëpunim teknik me FGJH-në për çështjet e trajtuara gjatë tryezës.
Znj. Ludmilla Stefani, nga Drejtoria e Kurrikulës dhe Kualifikimit të Mësuesve (ASCAP), trajtoi problematikat metodologjike të evidentuara në terren dhe sfidat e formimit të vazhduar të mësuesve, duke iu referuar kornizave evropiane të kompetencave të mësuesit. Ajo u ndal ndër të tjera tek programi PKZHM, i cili nis në vitin 2026 dhe përfshin edhe FGJH-në, në kuadër të trajnimit të mësuesve të gjuhëve të huaja nga institucionet e arsimit të lartë (IAL). Gjithashtu, theksoi rëndësinë e përgatitjes së mësuesve për realitetin digjital dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie.
Znj. Aida Myrto, Drejtor i Përgjithshëm i QSHA-së, paraqiti të dhëna mbi performancën e kandidatëve në provimin e licencimit, duke analizuar koherencën ndërmjet standardeve universitare dhe atyre profesionale dhe duke theksuar rëndësinë e përdorimit të këtyre të dhënave për reflektim institucional.
Znj. Ermira Milori, ZVAP Tiranë, DRAP Tiranë, solli në vëmendje nevojat reale të tregut të punës për mësues të gjuhëve të huaja në pesëvjeçarin e ardhshëm, ndikimin e ndryshimeve demografike në planifikimin e nevojave, si dhe sfidat që hasin mësuesit e rinj gjatë viteve të para të punës. Ajo theksoi nevojën për një sinergji më të madhe ndërmjet universiteteve dhe sistemit të mentorimit në shkolla, në mënyrë që praktika mësimore të jetë më e strukturuar dhe më e mbështetur.
Drejtuesit e shkollave të mesme – znj. Elsa Sheqi (“Petro Nini Luarasi”), znj. Shpresjona Elmazi (“Ismail Qemali”) dhe znj. Marsida Jarani (“Asim Vokshi”) – u ndalën në praktikat bashkëkohore të kurrikulës, menaxhimin e klasës, kompetencat sociale, përdorimin e teknologjisë dhe pritshmëritë konkrete ndaj formimit universitar
Znj. Orjola Idrizi, Drejtoreshë e Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë, trajtoi dimensionin e arsimit inkluziv dhe nevojën për vijimësinë akademike e profesionale të studentëve që nuk dëgjojnë, me fokus përgatitjen e tyre si mësues të gjuhëve të huaja.
Përfaqësuesit e shoqatave profesionale – znj. Lindita Trashani dhe z. Drilon Murrja – theksuan rolin e shoqatave në zhvillimin profesional të mësuesve dhe në ndërtimin e modeleve të qëndrueshme bashkëpunimi shkollë–universitet–shoqata.
Në diskutim kontribuan gjithashtu mësues me përvojë, alumni dhe studentë të punësuar rishtas në mësuesi, të cilët evidentuan hendekun midis teorisë dhe praktikës gjatë stazhit profesional, si dhe nevojën për mentorim dhe mbështetje të strukturuar në vitet e para të punës. Mësuesit e rinj nxorën në pah gjithashtu problematikën e metodave dhe teksteve të mësimdhënies, duke theksuar nevojën për përditësimin e tyre në përputhje me zhvillimet e viteve të fundit, veçanërisht në aspektin metodologjik dhe digjital.
🔚 Përfundime
Në përfundim të tryezës, u theksua rëndësia e forcimit të dialogut të strukturuar ndërmjet universiteteve dhe institucioneve përgjegjëse për politikat, standardet dhe licencimin, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së formimit të mësuesve të gjuhëve të huaja në Shqipëri.
Rekomandimet që do të dalin nga këto diskutime do të përmblidhen në një dokument përfundimtar dhe do t’i përcillen në formë zyrtare Ministrisë së Arsimit, si sugjerime konkrete në kuadër të dialogut institucional për përmirësimin e mëtejshëm të formimit dhe ushtrimit të profesionit të mësuesit të gjuhëve të huaja.









