Në kuadër të angazhimit për zhvillimin profesional të personelit ndihmës akademik me karakter administrativ dhe përmirësimin e mirëqenies në vendin e punës, Dega e Trajnimeve dhe Inovacionit Pedagogjik në bashkëpunim me Zyrën e Psikologut në FGJH, zhvilloi një trajnim të dedikuar me temë: “Stresi: efektet dhe menaxhimi i tij”.
Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e menaxhimit të stresit në mjedisin e punës, si dhe ofrimin e njohurive dhe praktikave që ndihmojnë në përballimin më efektiv të situatave të ndryshme. Gjatë trajnimit u trajtuan konceptet kryesore që lidhen me stresin, burimet më të shpeshta të tij dhe ndikimi që ai mund të ketë në shëndetin fizik, mirëqenien psikologjike dhe performancën në punë.
Pjesëmarrësit u njohën me strategji dhe teknika praktike për menaxhimin e stresit, si organizimi më i mirë i detyrave, zhvillimi i aftësive të vetëmenaxhimit dhe rëndësia e ruajtjes së një balance të shëndetshme ndërmjet jetës profesionale dhe asaj personale.
Trajnimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe interaktive, duke nxitur diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave mes pjesëmarrësve.






