Grupi mësimor-kërkimor i gjuhësisë, në bashkëpunim me grupet mësimore të përkthimit dhe interpretimit dhe të komunikimit dhe kulturës, pranë Departamentit të Gjuhës Angleze, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja – UT, organizoi më 23 prill 2026 leksionin e hapur “Çështje gjuhësore dhe kulturore në përkthimin e studimit historik Agents of Empire të Sir Noel Malcolm” me përkthyesin dhe studiuesin Kastriot Myftiu.
Leksioni trajtoi në mënyrë të thelluar aspekte gjuhësore të tekstit dhe çështje thelbësore kulturore të përkthimit të një studimi të rëndësishëm të mikrohistorisë ku histori familjare shqiptare ndërthuren ngushtë me disa prej ngjarjeve më të mëdha të historisë evropiane të shekullit XVI, sidomos me marrëdhëniet ndërmjet botës së krishterë dhe asaj otomane.
Studimi i thelluar arkivor i Sir Noel Malcolm, botuar nga Oxford University Press, në 2015 është një studim me vlerë për historiografinë dhe kulturën shqiptare, por edhe më gjerë, atë evropiane. Përkthimi i tij në gjuhën shqipe në mënyrë mjeshtërore nga Kastriot Myftiu ia rrit edhe me shumë vlerën.
Leksioni ngjalli interes të veçantë dhe u ndoq me kureshtje nga një audiencë e gjerë studentësh dhe pedagogësh.















