Studentët e profilit “Bachelor në Studime Britanike dhe Amerikane”, pranë Departamentit të Gjuhës Angleze, FGJH-UT, u angazhuan në një aktivitet ndërgjegjësues me rastin e Dita e Tokës, duke synuar edukimin e qytetarëve më të vegjël mbi përgjegjësinë që kemi për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët, planetit Tokë.
Duke u mbështetur në studimin e dy shtyllave kryesore që shënuan lindjen e lëvizjes moderne ambientaliste, botimi i “Silent Spring” nga Rachel Carson dhe organizimi i Ditës së parë të Tokës në SHBA më 22 prill 1970, studentët përgatitën një prezantim, një video ndërgjegjësuese dhe një aktivitet leximi, me qëllim nxitjen e nxënësve për të reflektuar dhe vepruar.
Vizita në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” u shndërrua në një përvojë të vlefshme mësimore dhe reflektuese për vetë studentët, një rikthim frymëzues tek vetja e tyre më e re dhe një hap drejt rolit të tyre të ardhshëm si mësues.
Mesazhi që përshkoi këtë aktivitet ishte i qartë: së bashku jemi më të fortë dhe kemi fuqinë të kontribuojmë për një të ardhme më të qëndrueshme, duke e lënë Tokën në një gjendje më të mirë për brezat që vijnë. 🌱






