Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Letërsia Turke në Ballkan “Tinguj poetikë nga Prizreni”

Më datë 02.05.2025 Grupi Mësimor-Kërkimor në Departamentin e Gjuhëve Sllave e Ballkanike, Dega e Gjuhës Turke organizoi panelin letrar në gjuhën turke Letërsia Turke në Ballkan “Tinguj poetikë nga Prizreni” me pjesëmarrjen e poetëve nga Prizreni, Dr. Taner Güçlütürk, poet, pedagog i gjuhës turke në Institutin Yunus Emre në Prizren, fitues i festivalit poetik “Zana”, z. Aziz Serbest poet, z. Zeynel Beksaç kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Turq në Kosovë, z. İskender Muzbeg, një ndër themeluesit e gazetës “Tan” në Prishtinë-Kosovë.

Të ftuari folën për trashëgiminë historike dhe kulturore, për letërsinë turke në Ballkan që është zhvilluar deri në ditët e sotme pa ndërprerje, për poetë, për tregimtarë, për autorë të pjesëve të ndryshme teatrale dhe romancierë që përfaqësojnë këtë letërsi të hershme. Paneli u zhvillua në gjuhën turke dhe të ftuarit shprehën kënaqësinë e tyre për organizimin e këtij paneli letrar dhe për pjesëmarrjen e studentëve të gjuhës turke.

Pedagogët e gjuhës turke, Dr. Alban Foçi, Prof.As.Dr. Adriatik Derjaj, Prof.As.Dr. Xhemile Abdiu, morën fjalën duke folur për letërsinë turke në përgjithësi, për njohjen e kësaj letërsie nga lexuesi shqiptar, për përkthimin e kësaj letërsie në gjuhën turke, për letërsinë turke të Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë të letërsisë turke të zhvilluar nga autorë me origjinë turke në Prizren dhe në Prishtinë.

Studentët e degës së gjuhës turke Bega Dançevska, Sonila Troci, Sara Kaolup dhe Fjorela Keçi recituan secila nga nja poezi të shkruar nga katërt të ftuarit në panel.

Më pas, paneli vijoi me pyetje të drejtuara nga studentët për të gjithë të ftuarit. Në fund të aktivitetit Dr. Taner Güçlütürk recitoi një poezi të tij dhe falenderoi studentët për pjesëmarrjen dhe për atmosferën e këndshme që krijuan me recitimin e poezive dhe pyetjeve të drejtuara.

Në fund Prof.As.Dr. Xhemile Abdiu falenderoi të ftuarit, kolegët dhe studentët për pjesëmarrjen në panelin letrar dhe shprehu dëshirën për të organizuar takime të tilla edhe në Prizren.

(Ky panel letrar u pasqyrua nga të ftuarit në mediat e Kosovës, në Radio, në Tv, dhe në Revistat letrare)