Sot më 6 tetor, në ditën që shënon fillimin e vitit të ri akademik 2025–2026, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mirëpriti studentët e rinj në një ceremoni të ngrohtë mirëseardhjeje.
Këtë ngjarje e nderoi me pjesëmarrjen e tij Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili zgjodhi pikërisht Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për të uruar të gjithë studentët e rinj të Universitetit të Tiranës për fillimin e vitit të ri akademik.
Në fjalën e tij, Rektori uroi një vit të mbarë akademik dhe nënvizoi rëndësinë e hapjes së programit të ri “Gjuhë frënge dhe gjuhë e shenjave shqipe”, si një hap domethënës drejt përfshirjes dhe inovacionit në mësimdhënie.
Ai gjithashtu vuri në dukje rolin thelbësor që luajnë gjuhët e huaja në zhvillimin e vendit dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, u uroi studentëve të rinj një mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në rrugëtimin e tyre drejt dijes. Në fjalën e saj, ajo theksoi se studimi i gjuhëve të huaja nuk është vetëm një proces mësimor, por një mundësi reale për të zgjeruar horizontet profesionale dhe kulturore të të rinjve shqiptarë. Njohja e gjuhëve të huaja u hap dyert studentëve drejt karrierave në përkthim, mësimdhënie, diplomaci, turizëm, komunikim ndërkombëtar dhe organizata evropiane, duke i bërë ata më konkurrues në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit. Dekania shtoi se kompetencat shumëgjuhëshe përbëjnë sot një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit personal dhe një aset kombëtar për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
🌟 Fakulteti i Gjuhëve të Huaja u uron të gjithë studentëve të rinj suksese dhe një fillim të mbarë në këtë etapë të re të jetës së tyre akademike!