Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Programi i Mirëseardhjes për studentët e rinj vazhdon!

Në kuadër të Programit të Mirëseardhjes për studentët e rinj,  sot u zhvillua takimi informues me dy zyra mbështetëse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja: 

  • Zyra e Këshillimit të Karrierës, e përfaqësuar nga znj. Hesiona Berhomi dhe 
  • Zyra e Cilësisë dhe Kurrikulës, e përfaqësuar nga znj. Sema Hysa.  

Gjatë takimit, studentët u njohën me misionin e Zyrës së Këshillimit të Karrierës, e cila mbështet studentët në zhvillimin e aftësive profesionale përmes trajnimeve të ndryshme, aktiviteteve orientuese, praktikave mësimore dhe mundësive të punësimit. 

Studentët u inkurajuan t’i shfrytëzojnë në mënyrë aktive këto mundësi për të ndërtuar një profil të fortë profesional që nis që në vitet e studimit. 

Në pjesën e dytë, studentët u njohën me rolin e Zyrës së Cilësisë dhe Kurrikulës në garantimin e standardeve akademike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të procesit mësimor. Ata u informuan mbi rëndësinë e pyetësorëve të vlerësimit të cilësisë së mësimdhënies, të cilët zhvillohen dy herë gjatë një viti akademik, si një mjet i rëndësishëm për të reflektuar mbi përvojën mësimore dhe për të kontribuuar në përmirësimin e cilësisë së studimeve. 

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja vijon të mbetet i përkushtuar në ofrimin e një arsimi cilësor dhe mbështetjes së gjithanshme për studentët e tij, duke kombinuar formimin akademik me zhvillimin personal dhe profesional.