Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

U zhvillua trajnimi me temë “Testimi dhe vlerësimi i të nxënit si dhe nxitja e autonomisë së nxënësit bazuar në Portofolin (PEGJH)”

Përfundoi me sukses trajnimi online me temë “Testimi dhe vlerësimi i të nxënit si dhe nxitja e autonomisë së nxënësit bazuar në Portofolin (PEGJH)”, me 30 kredite me pjesëmarrjen e mësuesve të arsimit parauniversitar nga trajnuesja Prof. Asoc. Dr. Aida Gjinali.

Trajnimi synoi të forcojë praktikat bashkëkohore të vlerësimit dhe të promovojë përdorimin e instrumenteve evropiane në mësimdhënien e gjuhëve.

Gjatë trajnimit u prezantuan dhe u diskutuan konceptet kryesore të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët (KPERGJ) si bazë për planifikimin e mësimdhënies, zhvillimin e kompetencave gjuhësore dhe vlerësimin e të nxënit. Një fokus i veçantë iu kushtua Portofolit Evropian të Gjuhëve (PEGJ) si një mjet pedagogjik që mbështet autonominë e nxënësit dhe nxit vetëvlerësimin e progresit gjuhësor.

Disa nga temat të trajtuara ishin:

  • politikat gjuhësore të Këshillit të Evropës dhe rëndësia e përdorimit të KPERGJ dhe PEGJ në institucionet arsimore;
  • lidhja e programeve të gjuhëve të huaja me nivelet e kompetencave gjuhësore nga A1 në C2;
  • funksionet pedagogjike dhe socio-kulturore të Portofolit Evropian të Gjuhëve;
  • përdorimi i dosjes së portofolit si një mjet dokumentues i arritjeve të nxënësve;
  • teknikat dhe praktikat e testimit gjuhësor (language testing) për hartimin e testeve sipas niveleve të KPERGJ;
  • mënyrat e matjes dhe vlerësimit të kompetencave gjuhësore dhe trajtimi i gabimeve në procesin e vlerësimit;
  • përdorimi i teknologjisë dhe metodave bashkëkohore në procesin e vlerësimit.

Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit ishin të aftë të:

  • interpretojnë dhe zbatojnë parimet e KPERGJ në procesin e mësimdhënies dhe vlerësimit;
  • analizojnë lidhjen midis kuadrit evropian, kurrikulës dhe programeve të gjuhëve të huaja;
  • përdorin Portofolin Evropian të Gjuhëve si mjet për zhvillimin e autonomisë dhe vetëvlerësimit të nxënësve;
  • hartojnë instrumente vlerësimi dhe teste të standardizuara në përputhje me nivelet e KPERGJ;
  • përcaktojnë kritere të qarta dhe transparente për vlerësimin e arritjeve të nxënësve;
  • përdorin vlerësimin si një mjet motivues për të nxitur progresin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve për kompetencat e tyre gjuhësore.

Ky trajnim kontribuon në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhëve të huaja dhe në forcimin e praktikave moderne të vlerësimit në arsimin parauniversitar.

situs toto