Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Leksion i hapur në FGJH-UT – “Kalimi i kufijve përmes mësimdhënies: një udhëtim Erasmus-i në Gjermani”

Në datën 18 mars, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, u zhvillua me sukses leksioni i hapur i mbajtur nga Prof. Asoc. Dr. Iris Klosi, me pjesëmarrjen e stafit akademik dhe studentëve.

Aktiviteti u çel nga Zv. Dekania për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Dr. Drita Rira, e cila theksoi rëndësinë që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i kushton ndërkombëtarizimit, bashkëpunimeve akademike dhe krijimit të mundësive për zhvillim të vazhdueshëm për stafin dhe studentët.

Një moment i veçantë ishte pjesëmarrja online e profesorit gjerman, Dr. Jens Andreas Faulstich, Zv. Drejtor i Sprachen/Internationales në RheinAhrCampus, i cili prezantoi universitetin dhe inkurajoi studentët të përfitojnë nga mundësitë që ofron programi Erasmus+.

Prof. Klosi ndau përvojën e saj të mobilitetit akademik në Universitetin e Koblenzit (RheinAhr Campus, Remagen), duke prezantuar praktika konkrete të mësimdhënies në lëndët “Menaxhim Projektesh” dhe “Biznesi Ndërkombëtar”, si dhe projektet e realizuara në bashkëpunim me studentët. Ajo solli gjithashtu rrugëtimin e saj ndërkombëtar ndër vite – nga Universiteti i Westminster-it në Londër, përvojat në Hungari dhe Francë, deri te angazhimi si lektore e ftuar në Gjermani – duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të këtyre eksperiencave në zhvillimin profesional dhe pedagogjik.

Në vijim, Prof. Klosi ftoi Dr. Rozana Bela për të ndarë edhe ajo përvojën e saj në Universitetin e Koblenzit (RheinAhr Campus, Remagen), duke sjellë reflektime konkrete mbi mësimdhënien dhe ndërveprimin në një mjedis ndërkombëtar.

Në përmbyllje, përmes prezantimit të projektit “Diversophy 2005”, Prof. Klosi ftoi studentët të aplikojnë për programe shkëmbimi, duke i inkurajuar të sfidojnë veten dhe të kapërcejnë kufijtë – jo vetëm gjeografikë, por edhe akademikë e personalë.

Ky aktivitet rikonfirmon rolin e rëndësishëm të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si një institucion i angazhuar në promovimin e ndërkombëtarizimit, inovacionit pedagogjik dhe krijimin e një mjedisi akademik të hapur e bashkëpunues, në përputhje me standardet evropiane.

🌍📚 Përvoja të tilla dëshmojnë se shkëmbimet akademike nuk janë vetëm mundësi individuale, por edhe mekanizma të fuqishëm për zhvillimin institucional dhe përgatitjen e studentëve për sfidat e një tregu global.

https://www.facebook.com/share/r/1NNE1ceuKT/

situs toto