Më 26 mars 2026, në ambientet e Bibliotekës “Argjiro” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT, u zhvillua leksioni i hapur me temë “Dëshira e strukturuar nga gjuha poetike: Pierre Reverdy, Francis Ponge, René Char”, mbajtur nga Dr. Laureta Mema.
Ky prezantim solli një qasje të thelluar mbi rolin e gjuhës poetike, jo thjesht si mjet shprehjeje, por si një strukturë që formëson dhe organizon dëshirën.
Duke u mbështetur në një lexim teorik të frymëzuar nga Jacques Lacan dhe teoria dekonstruksioniste (Derrida), analiza u përqendrua në tri poetika të ndryshme:
🔹 Te Pierre Reverdy, imazhi poetik shfaqet si marrëdhënie midis realiteteve të largëta, duke ruajtur një distancë që ushqen tensionin e dëshirës.
🔹 Te Francis Ponge, përshkrimi i objektit nxjerr në pah pamundësinë e përputhjes midis gjuhës dhe sendit, duke e vendosur dëshirën në një raport të vazhdueshëm me mungesën.
🔹 Te René Char, gjuha poetike merr formën e një shprehjeje intensive dhe fragmentare, që artikulon një të vërtetë gjithmonë të pjesshme dhe të paqëndrueshme.
👉 Në këtë kuadër, poezia nuk prodhon një kuptim të mbyllur, por hap një hapësirë kuptimore dinamike, ku dëshira shfaqet si efekt i marrëdhënies ndërmjet gjuhës dhe asaj që i reziston përkufizimit të plotë te saj.










