Sot, më datë 26 mars 2026, maturantët e Gjimnazit me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi” bënë një vizitë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Degën e Gjuhës Turke, të shoqëruar nga znj. Olta, përgjegjëse për zhvillimin e karrierës dhe mësuesit e gjuhës turke – ish studentë të kësaj dege – z. Holger Protopapa dhe znj. Antinela Delija.
Nxënësit maturantë, së bashku me mësuesit e tyre, u pritën në ambientet e Degës së Gjuhës Turke nga Zv. Dekania e FGJH-së, Dr. Kristina Sheperi, pedagogët e gjuhës turke, Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj, Dr. Alban Foçi, Prof. Asoc. Dr. Xhemile Abdiu dhe pergjegjësja për zhvillimin e karrierës, znj. Hesiona Berhomi.
Pas prezantimit të programeve të studimit që ofron Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, dhe programeve Bachelor dhe Master në Degën e Gjuhës Turke, pedagogët folën për bursat që ofrohen për studentët me rezultate të mira, bashkëpunimet me universitetet e Turqisë, Programin Erasmus +, mbështetjen e Turqisë për studentët shqiptarë nëpërmjet Bursave që ofron Turqia, ku fitues kanë qenë shumë studentë të Degës së Gjuhës Turke, për klubet studentore, për akreditimin e universitetit, të fakultetit dhe të programeve të Degës së Gjuhës Turke, për mundësinë e punësimit pas diplomimit, etj.
Pasi vizituan ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, bibliotekat dhe laboratorët e përkthimit, nxënësit maturantë, së bashku me mësuesit e tyre dhe pedagogët e gjuhës turke, u mblodhën tek salla “Evropa” ku takimi vijoi me prezantimin e dy videove, njëra për Stambollin, kryeqytetin shpirtëror të Turqisë dhe simbolet e tij historike, dhe tjetra për Ankaranë, kryeqytetin e Turqisë, i cili është shpallur kryeqyteti i turizmit turk për vitin 2026 nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit të Turqisë dhe do të presë turistë nga e gjithë bota. Nëpërmjet videove u paraqit trashëgimia historike, pasuria kulturore dhe tradita e bukur e mirëpritjes në Turqi.
Falenderojmë Drejtoreshën e Gjimnazit me Orientim Gjuhësor, znj. Marsida Jarani, për bashkëpunimin, znj. Olta Barbullushi’, përgjegjëse për zhvillimin e karrierës, mësuesit e gjuhës turke, z. Holger Protopapa dhe znj. Antinela Delija për përkushtimin, si dhe të gjithë nxënësit maturantë të gjimnazit të cilët vizituan Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Degën e Gjuhës Turke.







