Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Personaliteti Shqiptar Eqerem Çabej, në këndvështrimin e albanologëve gjermanofolës nëpërmjet Letërkëmbimit të tij me studiues potencialë

Objektivat e projektit

Njohja dhe analiza në mënyrë shkencore e një pjese të letërkëmbimit të pabotuar të Profesor Eqerem Çabejt me albanologë dhe studiues të hapësirës gjermanofolëse, i cili shtrihet në periudhën 1939–1978, si burim origjinal për studimet albanologjike dhe historinë e gjuhësisë shqiptare.
Të paraqitet figura e Eqerem Çabejt në një këndvështrim të plotë dhe të ri, jo vetëm si gjuhëtar dhe akademik i shquar, por edhe si njeri dhe pjesëmarrës aktiv në dialogun shkencor evropian, përmes analizës së komunikimit të tij privat dhe profesional me studiues të huaj.
Të nxirren në dritë problematikat gjuhësore dhe shkencore të kohës, perceptimi i tyre nga vetë Çabej dhe nga albanologët gjermanofolës, si dhe të krijohet një burim kërkimor për studime të mëtejshme.
Në kuadër të këtij Projekti po mbështetet doktoratura e parë kushtuar Prof. Eqerem Çabejt, një personalitet qendror i gjuhësisë shqiptare.

Përmbledhje e veprimtarive dhe rezultateve të projektit

Projekti u përqendrua në trajtimin shkencor të një korpusi të rëndësishëm dhe deri tani pak të njohur: letërkëmbimin e Profesor Eqerem Çabejt me albanologë dhe studiues të hapësirës gjermanofolëse gjatë viteve 1939–1978.
Ky material arkivor u analizua nga këndvështrimi gjuhësor, gramatiko-semantik, historik dhe komunikativ, duke u trajtuar si burim parësor për njohjen e figurës së Çabejt dhe të problematikave shkencore të kohës.

Veprimtaritë kryesore të realizuara në kuadër të projektit ishin:

  • Hulumtimi arkivor, grumbullimi dhe sistematizimi i letrave dhe kartolinave origjinale. Analiza shkencore e materialit dhe diskutimi i rezultateve në kuadër të takimeve akademike.
  • Organizimi i ekspozitës shkencore “Akademiku Çabej si studiues dhe njeri”, e cila prezantoi në mënyrë vizuale dhe dokumentare figurën e Çabejt përmes materialeve të publikuara dhe të papublikuara, si dhe posterave shkencorë.
  • Organizimi i konferencës shkencore “Personaliteti shqiptar, Eqerem Çabej, në këndvështrimin e albanologëve gjermanofolës nëpërmjet Letërkëmbimit të tij me studjues potencialë” dhe botimi open access i punimeve të saj në faqen e Fakultetit dhe të Akademisë së Shkencave Tiranë, duke siguruar akses të lirë për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Akademinë e Shkencave dhe të gjithë studiuesit.

Rezultatet kryesore të projektit përfshijnë nxjerrjen në dritë të materialeve origjinale me vlerë të lartë shkencore, pasurimin e literaturës mbi Eqerem Çabejn dhe albanologjinë, forcimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e një baze solide për botime dhe studime të mëtejshme. Një rezultat me rëndësi të veçantë është edhe realizimi i doktoraturës së parë kushtuar Prof. Eqerem Çabejt, e cila përfaqëson një kontribut të qëndrueshëm dhe afatgjatë në studimet e gjuhësisë shqiptare.

👉 Link:
https://fgjh.edu.al/programi-i-konferences-cabej-dhe-abstraktet/
https://fgjh.edu.al/programi-i-konferences-cabej-dhe-abstraktet/
https://fgjh.edu.al/wp-content/uploads/2023/08/Thirrje-Konferenca-E.-Cabej_Nentor-2023-1.pdf

situs toto