Takim prezantues në kuadër të bashkëpunimit me Erasmus+ Albania

Më 25 qershor, në ambientet e Erasmus+ Albania, u zhvillua një takim prezantues me Drejtorin e ri të Zyrës Kombëtare Erasmus+ Albania, Z. Geron Kamberi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë. Takimi kishte si synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, promovimin e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe koordinimin e iniciativave të përbashkëta në kuadër të programit Erasmus+.

Në takim morën pjesë Prof. Dr. Elvira Fetahu, Rektore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Elton Skëndaj, Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Programit Erasmus+ në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Dr. Rigers Bakiu, Drejtues i Grupit të Kërkimit në Departamentin e Akuakulturës dhe Peshkimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të arsimit të lartë.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, zhvillimin e nismave të përbashkëta dhe organizimin e aktivitetit që do të zhvillohet në muajin shtator në kuadër të rrjetit HERE (Higher Education Reform Experts). Ky aktivitet synon të krijojë një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në arsimin e lartë, përmes pjesëmarrjes së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët të institucioneve pjesëmarrëse për forcimin e partneriteteve, rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe promovimin e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare. Diskutimet evidentuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet aktorëve kryesorë të sektorit, me synim zhvillimin e projekteve dhe iniciativave që kontribuojnë në modernizimin e arsimit të lartë në Shqipëri.