Përfundon me sukses sesioni i parë i Programit të Formimit të Vazhduar “Përkthim Teknik, Letrar dhe Interpretim”
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, përfundoi me sukses sesioni i parë i Programit të Formimit të Vazhduar “Përkthim Teknik, Letrar dhe Interpretim”, i organizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë këtij sesioni, në periudhën maj – qershor 2026, u zhvilluan dhe u përmbyllën me sukses dy nga modulet e programit: “Përkthim teknik në fushën e legjislacionit të Bashkimit Evropian” dhe “Përkthim teknik në fushën e së drejtës penale”. Në këto dy trajnime morën pjesë 70 përkthyes, të cilët përfunduan me sukses procesin e formimit profesional dhe u pajisën me certifikatat përkatëse, duke dëshmuar përvetësimin e kompetencave të specializuara në këto fusha.
Programi i Formimit të Vazhduar “Përkthim Teknik, Letrar dhe Interpretim” përfshin aktualisht 11 module të miratuara, të konceptuara për zhvillimin dhe thellimin e kompetencave profesionale të përkthyesve dhe interpretëve në fusha të specializuara, si: e drejta civile, e drejta penale, legjislacioni i Bashkimit Evropian, përkthimi automatik dhe përdorimi i mjeteve teknologjike CAT, interpretimi juridik, interpretimi konsekutiv dhe simultan, ekonomia, turizmi dhe trashëgimia kulturore, mjekësia, si dhe përkthimi letrar.
Nëpërmjet këtij programi, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja synon të ofrojë një formim profesional të avancuar, të orientuar drejt nevojave bashkëkohore të tregut të punës dhe kërkesave në rritje për specialistë të kualifikuar në fushën e përkthimit dhe interpretimit. Programi kontribuon në rritjen e standardeve profesionale, forcimin e kapaciteteve gjuhësore dhe mbështetjen e institucioneve publike dhe sektorëve të ndryshëm që kërkojnë shërbime të specializuara gjuhësore.
Përfundimi me sukses i këtij sesioni dhe certifikimi i 70 përkthyesve përbën një tregues të rëndësishëm të angazhimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për të ofruar programe cilësore të formimit të vazhduar, në përputhje me standardet akademike dhe profesionale.
Në vijim, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të vazhdojë zhvillimin e moduleve të miratuara të këtij programi, ndërkohë që janë në proces shqyrtimi dhe pritet miratimi i trajnimeve të reja të formimit të vazhduar në fusha të tjera të specializuara të përkthimit dhe interpretimit, duke zgjeruar më tej ofertën akademike dhe mundësitë për zhvillim profesional.

