Në kuadër të aktivitetit “Ditë informimi”, Auditori “Evropa” mirëpriti studentë të viteve të dyta dhe të treta me qëllim prezantimin e programeve studimore në nivelin master si edhe mundësitë e shërbimet që ofrohen nga strukturat e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Studentët u njohën fillimisht me programet e studimit që ofron FGJH në ciklin e dytë të studimeve, profilin profesional të secilit, mundësitë e praktikës profesionale dhe integrimit në tregun e punës:
– Master i Shkencave në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik në degët Gjuhë Angleze, Italiane, Gjermane, Frënge, Greke, Turke.
– Master i Shkencave në Mësuesi, në degët: Gjuhë Angleze, Italiane,Gjermane, Frënge, Greke, Turke.
– Master i Shkencave në Përkthim-Teknik Letrar dhe Interpretim, në degët: Gjuhë Angleze, Italiane, Gjermane, Frënge, Greke, Turke.
– Master Profesional në Përkthim me profil Përkthyes, dega Gjuhë Angleze.
– Master i Delokalizuar në Përkthim Profesional në bashkëpunim me Universitetin e Strasburgut në degët: Gjuhë Angleze, Italiane, Gjermane, Frënge, Greke, Turke.
– MASTER I PËRBASHKËT me UNIVERSITETIN SORBONNE PARIS NORD “TRAJTIMI INFORMATIK DHE GJUHËSOR I DOKUMENTEVE TË SHKRUARA”.
Studentët u njohën me shërbimet dhe mundësitë që përfitohen nga mbajtja e kontakteve të ngushta me Zyrën e Këshillimit të Karrierës, Zyrën e Cilësisë dhe Kurrikulës si edhe Zyrën e Projekteve, që u vinë në ndihmë procesit mësimor. Ata u informuan me larmishmërinë e aktiviteteve, trajnimeve, angazhimeve të tyre të drejtpërdrejta në projekte mësimore-kërkimore, si edhe shkollat verore/dimërore që do të ofrohen gjatë viti akademik në vijim.
Një vend i veçantë në këtë aktivitet iu dha Koordinatores akademike Erasmus+, Dr. Drita Rira e cila u prezantoi studentëve mundësitë e shumta që u ofrohen për të kryer një semestër të plotë studimesh në një nga universitetet evropiane me të cilat UT ka lidhur Marrëveshje ndërinstitucionale. Gjithashtu, studentët u njohën me procedurat e aplikimit, dokumentacionin që duhet të plotësojnë si edhe detajet e dokumentit Learning Agreement, kontratës studimore.
Studentët u inkurajuan gjithashtu të marrin pjesë në klubet ekstrakurrikulare që do t’i shtojnë vlerë jetës akademike në FGJH. Studentët u njohën me një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen nga 10 Klubet Studentore që ofrohen nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
Ky takim ishte një mundësi e mirë për t’i njohur studentët me mundësitë e shumta që u ofrohen gjatë rrugëtimit të tyre akademik në ciklin Bachelor si edhe në vijimësinë e programeve Master.



