Më 29 prill 2026, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, u organizua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë:
“Pasuritë e veçanta materiale dhe jomateriale të Shqipërisë, ofruar për turistët vendas e të huaj”
Konferenca u zhvillua në kuadër të projektit PTI të financuar nga AKKSHI dhe Elite Travel Group:
“Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe marketingu digjital shumëgjuhësh përmes platformës ‘Albania 365’”, me koordinatore Dr. Drita Rira.
Aktiviteti, i mbajtur në Sallën “Evropa”, mblodhi së bashku akademikë, studiues, profesionistë të turizmit, studentë dhe të interesuar të shumtë, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për diskutim shkencor dhe shkëmbim përvojash mbi promovimin e trashëgimisë shqiptare dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Në konferencë morën pjesë të ftuar të nderuar si:
Dr. Marsela Robo – Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI),
Z. Elvis Kotherja – Drejtor Ekzekutiv i “Elite Travel Group” dhe Kryetar i Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri,
Profesor Enrico Lusso, Kryetar i Programit të Studimit në Gjuhë dhe Kultura për Turizmin, Universiteti i Torinos, itali
🔹 Në fjalën e saj, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, theksoi rolin thelbësor të fakultetit në formimin e profesionistëve me kompetenca gjuhësore dhe ndërkulturore, duke e pozicionuar atë si një urë lidhëse mes akademisë, institucioneve dhe sektorit privat, si dhe prezantoi nisma konkrete bashkëpunimi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe inovativ në Shqipëri.
🔹 Dr. Marsela Robo theksoi rëndësinë e mbështetjes së projekteve kërkimore që lidhin inovacionin me zhvillimin e sektorëve strategjikë si turizmi, duke nxitur përdorimin e teknologjisë dhe qasjeve të reja në promovimin e Shqipërisë.
🔹 Z. Elvis Kotherja, në cilësinë e ligjëruesit kryesor, trajtoi temën “Nga trashëgimia te përvoja turistike: Roli i industrisë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri”, duke theksuar njëkohësisht domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë mes universiteteve dhe biznesit si një model me përfitim të ndërsjellë dhe një mekanizëm kyç për përgatitjen e profesionistëve sipas kërkesave reale të tregut.
🔹 Profesor Enrico Lusso në cilësinë e ligjëruesit kryesor, trajtoi temën Patrimonio culturale e valorizzazione turistica. L’esperienza italiana tra prassi, criticità e modelli alternativi”, duke sjellë perspektivën italiane mbi menaxhimin dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore, sfidat aktuale dhe modelet alternative të zhvillimit turistik.
Konferenca solli referime shkencore me interes të lartë, diskutime frytdhënëse dhe këndvështrime të reja mbi promovimin ndërkombëtar të pasurive materiale dhe jomateriale të Shqipërisë, duke nxitur bashkëpunimin akademik dhe nevojën për profesionistë të komunikimit në gjuhë të huaja, si dhe për formim të specializuar në programin e studimit “Master Shkencor në Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik Trigjuhësh” të ofruar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, UT, në funksion të zhvillimit të turizmit dhe marketingut digjital shumëgjuhësh.
🙏 Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, referuesit dhe partnerët që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij aktiviteti shkencor dhe promovues.
























































