Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, dhe Shtëpia e Fëmijës Shkollor “Zyber Hallulli” nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të krijojë një partneritet të qëndrueshëm në mbështetje të edukimit, zhvillimit personal dhe përfshirjes sociale të fëmijëve që marrin shërbime pranë këtij institucioni.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në prani të Dekanes, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës Shkollor “Zyber Hallulli”, Znj. Valbona Imeraj, Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Angleze, dhe Prof. Asoc. Dr. Mirela Papa, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Italiane, si dhe studentëve që do të angazhohen në këtë nismë.
Përtej mbështetjes në procesin mësimor, kjo nismë synon të nxisë motivimin për arsimim, të forcojë vetëbesimin dhe të krijojë mundësi për ndërveprim me modele pozitive të angazhimit dhe zhvillimit personal. Kontakti me studentët do t’u japë fëmijëve mundësinë të zgjerojnë horizontet e tyre arsimore e kulturore dhe të ndihen të mbështetur në rrugëtimin e tyre të rritjes.
Për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim konkret në funksion të përgjegjësisë sociale universitare, duke dëshmuar se misioni i universitetit shtrihet përtej auditorëve dhe përfshin edhe kontributin aktiv në komunitet. Ajo promovon vlerat e solidaritetit, qytetarisë aktive dhe vullnetarizmit, duke e kthyer dijen dhe formimin akademik në një mundësi për të sjellë ndryshim pozitiv në jetën e të tjerëve.
👏 Një falënderim i veçantë për studentët e FGJH-UT që iu bashkuan kësaj nisme me përkushtim dhe ndjeshmëri, duke dëshmuar se dija merr një vlerë edhe më të madhe kur vihet në shërbim të komunitetit.
FGJH #UniversitetiiTiranës #ZyberHallulli #Vullnetarizëm #PërfshirjeSociale #MësimiIGjuhëve #StudentëtNëKomunitet





