Në kuadër të planit të grupit lëndor “Gjuhësi dhe Komunikim” të Gjuhës Gjermane zhvilloi një shkëmbim akademik me Prof. Dr. Christos Govaris, një profesor me përvojë të gjatë në fushën e Komunikimit Ndërkulturor dhe autor i shumë publikimeve të rëndësishme në këtë fushë. Prof. Govaris ka zgjedhur që një pjesë të vitit të tij sabatik ta kalojë për shkëmbim përvoje në fushën e Komunikimit pranë Departamentit të Gjermanishtes.
Komunikimi ndërkulturor përbën një nga shtyllat kryesore të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve, duke shërbyer si një urë themelore që mundëson mirëkuptim, shkëmbim vlerash dhe kapërcimin e paragjykimeve.
Në kontekstin ballkanik, një hapësirë me diversitet të theksuar kulturor, gjuhësor dhe historik. Kjo kompetencë është jetike për forcimin e dialogut, përballimin e sfidave ndërkulturore dhe avancimin e marrëdhënieve rajonale. Po ashtu, ndërveprimi me hapësirën gjermanishtfolëse, partner i rëndësishëm akademik e kulturor i rajonit, kërkon një qasje të ndërgjegjshme dhe të zhvilluar ndaj komunikimit ndërkulturor për të ndërtuar ura bashkëpunimi të qëndrueshme.
Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me mënyrën se si komunikimi ndërkulturor shfaqet dhe zhvillohet në kontaktet midis Ballkanit dhe vendeve gjermanishtfolëse, me mekanizmat e ndërveprimit kulturor dhe gjuhësor që e formësojnë këtë komunikim dhe sfidat që lindin në proces.
Po ashtu u prezantuan qasje metodike dhe didaktike të cilat mund të përdoren për integrimin e kompetencës ndërkulturore në mësimdhënien e gjuhëve të huaja, duke nxitur një reflektim kritik mbi rolin e komunikimit ndërkulturor në shoqëritë bashkëkohore shumëkulturore. Ky aktivitet u pasurua me diskutimet e pedagogëve të gjuhës gjermane dhe studentëve.





