Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Cartographies de la Quête : Douze études critiques de la littérature maghrébine d’expression française

Cartographies de la Quête : Douze études critiques de la littérature maghrébine d’expression française titullohet studimi më i ri i Prof. Asoc. Dr. Ardiana Hyso Kastrati, pedagoge pranë departamentit të gjuhës frënge.

Ky punim është fryt i një rrugëtimi shtatëvjeçar kërkimi, studimi dhe përkushtimi ndaj letërsisë magrebine në gjuhën frënge, një letërsi që autorja është përpjekur ta sjellë më pranë studentëve dhe ta integrojë në programet mësimore të departamentit të gjuhës frënge, duke zgjeruar horizontet e studimit të letërsisë dhe kulturës frankofone.

Përmes dymbëdhjetë studimeve kritike, punimi eksploron krijimtarinë e autorëve si Albert Memmi, Driss Chraïbi, Malika Mokeddem, Rachid Boudjedra, Assia Djebar, Tahar Ben Jelloun, Najib Redouane, Fawzia Zouari, Azza Filali etj, që përfaqësojnë letërsinë magrebine në gjuhën frënge, nga Maroku, Algjeria dhe Tunizia, si dhe nga diaspora magrebine.

Në qendër të tij qëndron Kërkimi (la Quête) në dimensionet e tij identitare, ekzistenciale, femërore, shpirtërore dhe kolektive, në ndërthurje me temat e kujtesës, përkatësisë, mërgimit, lirisë dhe marrëdhënies me Tjetrin.

Përtej dimensionit shkencor, studimi përfaqëson një kontribut modest në shërbim të studentëve, një ftesë për të zbuluar zëra, kultura dhe perspektiva të reja letrare, si dhe për të reflektuar mbi pasurinë dhe shumëllojshmërinë e letërsive frankofone.