Vijon në ditën e tretë Shkolla Verore e Turizmit dhe Kulturës ku, studentët e Masterit të Shkencave në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor e Turistik në gjuhën angleze, franceze, italiane, spanjolle, vizituan Qëndrën Muzeore Durrës: Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin. Gjatë kësaj vizite studentët u takuan me Drejtorin e Qendrës Muzeore, Z.Alban Ramohitaj i cili u foli për rëndësinë e një guide turistike. Znj.Eda Çekrezi, përfaqësuese e Muzeut Arkeologjik Durrës, i njohu studentët me rolin dhe aftësitë profesionale të një guide. Studentët u pajisën me këshilla praktike mbi mënyrën se si duhet të sillet një guidë, informacionet që duhet të zotërojë dhe mënyrën si duhet ta ndajë këtë informacion me të tjerët. Pjesëmarrësit e Shkollës Verore vizituan Muzeun dhe panë nga afër objektet e ekspozuara dhe historinë që ato mbartnin.
Në Amfiteatrin e Durrësit studentët u njohën me atë Monument Kulture me vlera arkitekturore, historike dhe artistike dhe patën mundësi të shohin në terren punën e një guide turistike.



