Dita Evropiane të Gjuhëve, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”

Sot, në kuadër të Ditës Evropiane të Gjuhëve, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ishin të ftuara Zv. Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, Dr. Drita Rira, dhe Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Angleze, Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa. 

Gjatë intervistës u diskutua mbi rëndësinë e mësimit të gjuhëve të huaja në kontekstin evropian dhe rolin që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja luan në formimin e specialistëve të gjuhëve, komunikimit ndërkulturor dhe teknologjive gjuhësore. U theksua se, në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, përgatitja e profesionistëve të aftë për të vepruar në mjedise shumëgjuhëshe dhe ndërkulturore merr një rëndësi të veçantë. 

U prezantuan gjithashtu programet e studimit që u përgjigjen zhvillimeve bashkëkohore, si programi “Gjuhë moderne dhe teknologji digjitale”, si dhe vijimësia e tij në programin e masterit me diplomë të dyfishtë “Trajtimi automatik dhe gjuhësor i dokumenteve të shkruara”, në bashkëpunim me Universitetin e Sorbonës në Francë, për ta përmbyllur më tej me ciklin e doktoratës. 

Një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerës së shumëgjuhësisë dhe dialogut ndërkulturor, si elemente themelore të hapësirës evropiane të arsimit, si dhe rolit të teknologjisë në mësimin e gjuhëve të huaja. Në këtë kontekst u theksua se zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale përbëjnë mjete të rëndësishme mbështetëse të procesit mësimor, duke ruajtur gjithmonë në qendër rolin e pazëvendësueshëm të pedagogut dhe të komunikimit njerëzor. 

Nëse dëshironi të ndërtoni të ardhmen tuaj akademike dhe profesionale në një mjedis që ndërthur gjuhët, kulturat dhe teknologjinë, ju ftojmë të bëheni pjesë e programeve të studimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. 

📌 Raundi i dytë i regjistrimeve është i hapur nga 25 shtatori deri më 4 tetor 2026. 

📺 Ndiqni intervistën e plotë në linkun: https://youtu.be/kJCKlqJS0EY?si=JaxHSyAZYtFBYHyq 

#DitaEvropianeEGjuhëve #FGJH #UniversitetiiTiranës #GjuhëtNaBashkojnë #Shumëgjuhësia #Ndërkulturaliteti #GjuhëModerneDheTeknologjiDigjitale #Regjistrime2026 #ZgjidhFGJH