Me rastin e 27 Janarit, “Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Ambasadën e Israelit, Ambasadën e Italisë në Tiranë, fondacionet ‘Integra Onlus’ dhe ‘Bridge For the Future Albania’, organizon një aktivitet përkujtimor në Sallën Europa, ditën e enjte, 27 Janar 2022, ora 11.00.
Në këtë ditë përkujtohen gjithashtu edhe ata që kontribuan në shpëtimin e hebrenjve, ku kombi ynë shqiptar zë një vend nderi. Për këta heronj, që vunë në rrezik jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Izraelit akordon një titull të veçantë që quhet ‘Të Drejtët Midis Kombeve’. Këtë titull e kanë marrë disa dhjetëra familje dhe individë shqiptarë, për historitë e të cilëve janë bërë studime dhe janë realizuar disa dokumentarë të njohur dhe promovuar në të gjithë botën. Një nga këta dokumentarë, i cili do të shfaqet gjatë këtij aktiviteti, është edhe “Kodi Shqiptar” (“The Albanian Code”) i regjizores Yael Katzir, producent Gady Castel, prodhuar nga Katzir Production. Dokumentari ‘The Albanian Code’ flet për mikëpritjen dhe besën që populli shqiptar u dha hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe promovon cilësitë më të mira të kombit tonë, si mikëpritjen, tolerancën fetare, humanizmin etj.
Ky aktivitet shënon gjithashtu fillimin e një bashkëpunimi me Bashkinë Tiranë, si pjesë e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të shpalljes së Tiranës “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022.
FGJH-UT është i vetmi institucion shqiptar i arsimit të lartë, që e ka gjuhën dhe kulturën Hebraike pjesë të kurikulave të tij. Hebraishtja që prej tre vjetësh ofrohet si lëndë kurrikulare. Këtë vit në FGJH do të organizohen edhe evente të tjera si “Promovimi i Letërsisë Hebraike”, “Promovimi i lidhjeve të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij hebre”.