Sot, më 15 tetor 2025, në sallën Europa të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja/UT, u zhvillua konferenca me relator Prof. Roberto Vetrugno, profesor i gjuhësisë italiane në Universitetin për të Huajt të Perugia-s, Itali dhe Drejtor i Programit Bachelor “Gjuha dhe kultura italiane në botën digjitale”.
Aktiviteti, i organizuar nga Departamenti i Gjuhës Italiane në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, u zhvillua në kuadër të Javës XXV të Gjuhës Italiane në Botë dhe shënoi gjithashtu 100-vjetorin e Universitetit për të Huajt të Perugia-s.
Gjatë konferencës, Prof. Vetrugno prezantoi librin përkujtimor të botuar nga Treccani: “L’Università per Stranieri di Perugia: storia di un ateneo aperto al mondo”, që pasqyron historinë njëqindvjeçare të këtij institucioni.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu për një event mjaft të rëndësishëm ai i nënshkrimit të marrëveshjes së re lidhur me diplomën e dyfishtë, marrëveshje kjo ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit për të Huaj të Perugia-s, për programin Bachelor “Gjuha dhe kultura italiane në botën digjitale”, i cili së shpejti do të ofrohet nga Departamenti i Gjuhës Italiane.
Ky program i ri Bachelor do të jetë një risi jo vetëm për këtë departament por edhe për studentët e ardhshëm të tij, të cilëve do t’ju ofrohet jo vetëm një program i ri bashkëkohor i përshtatur me nevojat e kohës por dhe do ju mundësojë atyre një ofertë punësimi akoma më të larmishme në tregun e punës në të ardhmen digjitale.