Departamenti i Gjuhës Italiane, me mbështetjen e Ambasadës Italiane në Shqipëri organizoi në datën 21 Tetor 2021, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (njëkohësisht edhe online), konferencën ndërkombëtare me titull: «A 700 anni dalla morte di Dante: prospettive di studio tra Albania e Italia». Qëllimi i konferencës ishte t’i bënte homazh figurës së poetit të madh italian Dante Alighieri-t në 700-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Pjesëmarrësit në konferencë ishin studiues shqiptarë dhe italianë, të cilët ndanë mes tyre në një moment takimi dhe përballjeje rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore. Relatorët nxorën në pah aspekte të ndryshme të veprës së Dante Alighieri-t që nga vlerat universale të veprës së tij deri te ndikimi që ky shkrimtar pati mbi shkrimtarë të tjerë në epoka të ndryshme letrare. Qasja tërësisht e veçantë ndaj figurës së Dantes nga ana e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, prania e Dante Alighierit në Shqipëri, vështirësia e përkthimit të veprës së tij, puna e paçmuar e përkthyesve për të sjellë në gjuhën shqipe “Komedinë Hyjnore”, një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, ishin gjithshtu objekt i disa prej referateve shkencore. Konferencën e përshëndetën Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti (zv. rektor i Universitetit të Tiranës), Prof. Dr. Esmeralda Kromidha (dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja), si edhe Shkëlqesia e Tij, ambasadori italian në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci.