Më datë 25 shkurt, 2025, Dega e Gjuhës Ruse, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, organizoi në Sallën “Argjiro” takimin me përkthyesin e njohur, Z. Shpëtim Çuçka. Aktiviteti, i strukturuar rreth ligjëratës së tij me temë “Kultura, gjuha, letërsia, përkthimi”, ofroi një reflektim të thellë mbi ndërlidhjen thelbësore midis kulturës, gjuhës, letërsisë dhe përkthimit, duke u ndalur në ndikimin e tyre reciprok dhe rolin e tyre në komunikimin ndërkulturor.
Në ligjëratën e tij, Z. Çuçka analizoi në mënyrë analitike rëndësinë e kulturës shpirtërore në formësimin e identitetit gjuhësor dhe letrar, funksionin e gjuhës si mjet themelor në organizimin shoqëror dhe transmetimin e dijeve. Ai theksoi vlerat e letërsisë si pasqyrë e mendimit dhe ndjeshmërisë njerëzore, gjithashtu dhe sfidat e interpretimit dhe përkthimit, si një proces kompleks mes gjuhëve dhe kulturave.
Pjesëmarrja e studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja krijoi një atmosferë dinamike shkëmbimi intelektual, duke kontribuuar në zgjerimin e njohurive të të pranishmëve. Një moment kyç i takimit ishin dhe pyetjet dhe përgjigjet, ku pjesëmarrësit patën mundësinë t’i drejtojnë mbi temat e trajtuara drejtpërdrejt Z. Çuçka, i cili ndau me ta përvojën e tij profesionale dhe njohuritë e thella, duke shërbyer si një burim i rëndësishëm frymëzimi për të gjithë.
Ky takim ishte si një reflektim kritik mbi sfidat dhe mundësitë që paraqiten në kontekstin bashkëkohor global.
Përfundimi i këtij takimi inkurajoi studentët: “Të vijojnë angazhimin e përbashkët në promovimin e vlerave kulturore dhe gjuhësore të vendit tonë, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.”
Duke kujtuar fjalën e urtë “Jo për vete diturinë, por për t’ia dhënë të tjerëve”, u mbyll ky aktivitet me bindjen se shkëmbimi i ideve dhe dijeve është themeli i një shoqërie të përparuar.