TAM SEMINAR 2026 | 21–22 Shtator 2026

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, do të mirëpresë më 21–22 shtator 2026 seminarin Technical Assistance Mission (TAM) me temë:

“Orientation of University Curricula and Innovative Approaches to Building Future Skills”

Ky aktivitet synon të krijojë një hapësirë diskutimi dhe shkëmbimi përvojash ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë, ekspertëve dhe aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus në mënyrën se si universitetet mund të zhvillojnë dhe përditësojnë kurrikulat për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të së ardhmes, zhvillimeve teknologjike dhe kërkesave të tregut të punës.

Në qendër të diskutimeve do të jenë kurrikulat e orientuara drejt së ardhmes dhe me bazë kompetencat, zhvillimi i aftësive digjitale, përdorimi i teknologjive të reja dhe Inteligjencës Artificiale, si dhe qasjet inovative që nxisin një mësimdhënie më aktive dhe të orientuar drejt studentit.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu forcimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, biznesit dhe partnerëve të tjerë shoqërorë, me qëllim që programet e studimit të lidhen më ngushtë me praktikën, zhvillimet profesionale dhe nevojat reale të shoqërisë dhe ekonomisë.

Seminari do të pasurohet nga pjesëmarrja e dy ekspertëve ndërkombëtarë nga University of Beira Interior, Portugali:

Dr. Dina Pereira
Prof. Ass. João Carlos Correia Leitão

Ekspertët do të sjellin perspektivën dhe përvojën evropiane në diskutimet mbi zhvillimin dhe rinovimin e kurrikulave, inovacionin në arsimin e lartë, aftësitë e së ardhmes dhe bashkëpunimin universitet–industri.

Aktiviteti përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e praktikave të mira evropiane, reflektimin mbi sfidat aktuale të arsimit të lartë dhe identifikimin e qasjeve konkrete që mund të kontribuojnë në modernizimin dhe rritjen e cilësisë së programeve të studimit.

📅 21–22 Shtator 2026
📍 Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës
🌐 Technical Assistance Mission (TAM) – HERE / SPHERE – Erasmus+