Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Më datë 20 nëntor 2025, ora 10:00, Salla Evropa, Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi me sukses Konferencën e 15-të Ndërkombëtare.

Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa në cilësinë e Përgjegjësit të Departamentit hapi konferencën dhe theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference, rezultatet e të cilës lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies. Konferenca u përshëndet nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së elementeve të teknologjisë, veçanërisht rolin që Inteligjenca Artificiale po luan në çdo fushë të jetës. Ajo theksoi që risitë në kërkimin shkencor duhet të jenë në fokus të aktiviteteve të tilla dhe të përfshihen në programet e studimit, me qëllim që FGJH-ja të jetë sa më pranë risive dhe prurjeve më të fundit të shkencave gjuhësore. Kjo konferencë u përshëndet edhe nga Tatjana Slijepcevic, drejtuese e programit English Connects për Europën, nga Këshilli Britanik e cila prezantoi dhe bashkëpunimin e ri që është ngritur midis Këshillit Britanik dhe Departamentit të Gjuhës Angleze për përfshirjen e studentëve të ciklit të dytë Master i Shkencave në Mësuesi e Gjuhës Angleze për Arsimin e Mesëm të Lartë në platformën ndërvepruese për zhvillimin profesional “Online Teacher Community”. Cristiana Osan, trajnere e certifikuar DELTA, pjesë e programeve të formimit të vazhduar të ofruara nga Këshilli Britanik, prezantoi platformën ku janë të përfshirë studentët e Departamentit të Gjuhës Angleze duke përgëzuar angazhimin e tyre maksimal.

Një moment i veçantë iu kushtua dhe Prof. Dr. Elida Tabakut, duke i dhënë një çertifikatë mirënjohjeje për kontributin e saj të vyer në këtë Departament në emër të gjithë Departamentit të Gjuhës Angleze.

Gjatë konferencës u prezantuan dhe u diskutuan mbi 40 punime shkencore nga kërkues të rinj doktorantë të regjistruar pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja por edhe pedagogë të ftuar nga Lituania, dhe Kosova të cilët sollën për diskutim çështje me interes në fushat gjuhësore, përkthimore, letrare, kulturore dhe reflektime mbi problemet e mësimdhënies së gjuhës angleze në shkollat shqiptare.

Ky aktivitet është tregues i punës kërkimore shkencore të pedagogëve të Departamentit të Gjuhës Angleze.