Mimoza Puto (Lushnje, 1966) është personel akademik me kohë të plotë pranë Departamentit të Gjuhës Spanjolle në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, që nga viti 2014. Më parë ajo ka qenë pedagoge e jashtme pranë këtij Departamenti. Ajo është lektore e kurseve mbi Qytetërimin e Amerikës Latine dhe Panoramën e Artit Panhispanik. Në vitin 1984 ka përfunduar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Tiranë, për Gjuhë Spanjolle. Në vitin 1988 është diplomuar për Histori dhe Gjuhë Spanjolle në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.
Prej shkurtit të vitit 2022 mban titullin “Doktor i Shkencave” me temën “Perceptimi i brendshëm dhe nga jashtë i Shqipërisë në median shqiptare dhe spanjolle”. Ka botuar një sërë artikujsh shkencorë brenda dhe jashtë vendit dhe ka marrë pjesë në disa konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka zhvilluar disa trajnime dhe kurse për profesorë të spanjishtes dhe historisë të organizuara nga qeveria dhe universitetet spanjolle. Ajo ka publikuar edhe një numër të madh artikujsh mbi Shqipërinë dhe Kosovën në shtypin spanjoll, duke qenë bashkëpunëtore e agjencisë spanjolle të lajmeve, EFE.