Bazuar në : -Ligjin Nr. 80/2015 Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, Neni 81 mbi “Programet e studimeve të formimit të vazhduar’’; -Statuti i Universitetit të Tiranës, Neni 101 mbi “Programet e studimit të formimit të vazhduar”; -Rregullore e Universitetit të Tiranës, neni 41 mbi ‘Kushtet e krijimit të një programi studimi të formimit të vazhduar”; -Strategjia e zhvillimit të Universitetit të Tiranës 2024-2028, objektivat specifike 1.1, pika 1.1.6 dhe 1.1.9 mbi zhvillimin e programeve me mikrokredenciale dhe smart specialisation S3; në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në Rregulloren e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Rregulloren e Universitetit të Tiranës mbi ‘‘Administrimin e sistemit të tarifave të shërbimeve ndaj të tretëve’’, bazuar gjithashtu dhe në Vendimin Nr. 24, datë 24.07.2025 ”Për hapjen e programit të studimit të formimit të vazhduar në ”Përkthim Teknik, Letrar dhe Interpretim” , të UT-së, për vitin akademik 2025 – 2026”, si edhe praktikën e deritanishme të studimeve universitare, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ofron programin e formimit të vazhduar ‘‘Përkthim Teknik, Letrat dhe Interpretim’’ i cili përfshin 11 (njëmbëdhjetë module të cilat nuk janë të ndërvarura nga njeri tjetri.
· Përkthim teknik në fushën e së drejtës civile;
· Përkthim teknik në fushën e së drejtës penale;
· Përkthim teknik në fushën e legjislacionit të BE-së;
· Përkthim automatik dhe përdorimi i mjeteve teknologjike CAT;
· Interpretim juridik;
· Interpretim konsekutiv A-B, B-A;
· Interpretim simultan A-B, B-A;
· Përkthim teknik në fushën e ekonomisë;
· Përkthim teknik në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore materiale dhe jo material;
· Përkthim teknik në fushën e mjekësisë;
· Përkthim letrar.
Këto module trajnimesh synojnë të ofrojnë mundësi të mësimnxënies gjatë gjithë jetës, brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke u mundësuar pjesëmarrësve pajisjen me certifikata përkatëse të vlerësuara me kredite akademike.
Qëllimi i këtyre moduleve është krijimi i një vizioni të qartë dhe të strukturuar mbi ofertën ekzistuese në treg për formimet me karakter gjuhësor, duke identifikuar nevojat specifike të profesionistëve dhe institucioneve që operojnë në këtë fushë. Këto module synojnë të përmirësojnë cilësinë dhe efektivitetin e formimit gjuhësor, duke u ofruar pjesëmarrësve njohuri të specializuara, kompetenca praktike dhe një qasje inovative ndaj përkthimit, interpretimit dhe komunikimit ndërkulturor. Përmes një qasjeje fleksibile dhe të përshtatur me kërkesat e tregut, ato mundësojnë zhvillimin e aftësive profesionale në një kohë të shkurtër, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe avancimin e karrierës së pjesëmarrësve.
Këto module të formimit me mikrokredenciale përfaqësojnë një qasje të strukturuar, fleksibile dhe me kosto të përballueshme, e cila u mundëson individëve të fitojnë aftësi dhe njohuri specifike në përputhje me kërkesat në zhvillim të tregut të punës. Duke iu përgjigjur dinamikës së vazhdueshme të industrive dhe punëdhënësve, këto programe synojnë të rrisin konkurencën dhe punësimin e pjesëmarrësve, duke u ofruar
atyre mundësinë për të përmirësuar dhe zgjeruar kompetencat profesionale në një periudhë të shkurtër kohore. Përmes metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe integrimit të teknologjisë në procesin e të nxënit, këto module shërbejnë si një mekanizëm i rëndësishëm për zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe për përshtatjen me sfidat e tregut global të punës.
Objektivat e këtij programi studimi janë:
· zhvillojë aftësitë e përkthimit të saktë të veprave letrare nga dhe në gjuhë të ndryshme, duke ruajtur stilin dhe mesazhin origjinal të autorëve.
· zhvillojë aftësitë e interpretimit të veprave të letërsisë nëpërmjet performancës orale, duke theksuar ndjeshmërinë kulturore dhe kontekstin historik.
· përsosë njohuritë për shkrimin e dokumenteve ligjore të sakta dhe të kuptueshme, duke siguruar që përkthimi të ruajë kuptimin e saktë të ligjeve dhe normave juridike.
· formojë profesionistë për të interpretuar proceset gjyqësore në mënyrë të saktë dhe objektive, duke u siguruar që palët të kenë mundësinë të komunikojnë qartë dhe në mënyrë të drejtë, situata mjekësore dhe të shëndetit për pacientët dhe mjekët, duke siguruar që informacioni të kalojë pa humbje të rëndësishme të kuptimit.
· përgatisë specialist të teknikave të përkthimit që sigurojnë përshtatjen e përmbajtjes me nevojat specifike të industrisë dhe tregut.
· zhvillojë strategji për ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet përkthimit të saktë dhe të duhur të tekstualitetit dhe kontekstit kulturor.
· rrisë aftësi të përdorimit të teknikave të përkthimit që ndihmojnë në transferimin e kuptimit të trashëgimisë kulturore në një kontekst ndërkombëtar, duke ruajtur lidhjet e thella me identitetin kulturor të grupeve dhe komuniteteve
Kush mund të ndjekë modulet e trajnimeve të ofruara nga FGJH?
· Të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses një nga ciklet e studimit, Bachelor, Master Doktoraturë;
· Të gjithë kandidatët që kanë një diplomë ekuivalente të një vendi të huaj;
Mënyra e zhvillimit: Trajnime të drejtpërdrejta, nëpërmjet internetit i kombinuar me konsultime.
Gjuha e zhvillimit: Shqip, Anglisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht, Frëngjisht, Greqisht, Turqisht, Rusisht.
Kohëzgjatja e programit të modulit të trajnimit: 30 orë / 3 kredite
Modulet e trajnimeve nuk janë të ndërvarura nga njëri tjetri, çdo individ mund të zgjedhë të ndjek një ose më shumë module trajnimi.
Pagesa është 15. 000 (pesëmbëdhjetë) mijë lekë për çdo modul trajnimi.
Pagesat kryhen përmes llogarisë bankare të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja sipas mandat pagesës, pranë bankës OTP ose Postës Shqiptare.
Në përfundim të çdo moduli trajnimi pjesëmarrësit pajisen me certifikatën përkatëse.
Si të bëheni pjesë e moduleve të trajnimit?
Linku për regjistrim: https://forms.office.com/e/hrHZT3pAww
Email: [email protected]